Duka: Për të tretën ditë në Dibër nuk ka të diagnostifikuar të rinj, por vërehen të infektuar që shëtisin nëpër qytet

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 6, 2020 19:35

Duka: Për të tretën ditë në Dibër nuk ka të diagnostifikuar të rinj, por vërehen të infektuar që shëtisin nëpër qytet

Për të tretën ditë me radhë nuk ka të infektuar të rinj me koronavirus në Dibër. Numri mbetet 49, prej tyre dy persona nga komuna e Qendrës së Zhupës. Nga numri i përgjithshëm i të infektuarve 14 janë shëruar, ndërsa katër persona kanë vdekur. Në kurim shtëpiak janë 13 persona, ndërsa 73 persona janë në vetizolim, që është për 15 më pak në krahasim me ditën e djeshme, deklaroi në pres konferencën e sotme kryetari i Dibrës, Hekuran Duka.

Megjithatë shtoi se epidemia me koronavirusin nuk është tejkaluar, për çka u bëri apel qytetarëve edhe më tej në mënyrë rigoroze t’i respektojnë masat dhe rekomandimet.

“Veçanërisht i lus ata tek të cilët tashmë është diagnostifikuar koronavirusi të mos dalin prej shtëpive të tyre. Si Shtab operativ kemi njohuri se disa prej këtyre personave shëtisin nëpër qytet, ndërsa janë parë edhe në markete. Ata kontrollohen nga policia, por e shfrytëzojnë vakum hapësirën nga njëri kontroll tek tjetri dhe dalin jashtë”, tha Duka.

Vlerësoi se gjendja e sigurisë është e mirë, nuk është vërejtur mosrespektim i vendimit të ndalesës së lëvizjes, ndërsa patrullat e Armatës rregullisht e kontrollojnë kufirin dhe atje nuk janë vërejtur shkelje.

“Institucionet në mënyrë të papenguar i zhvillojnë obligimet e tyre rutinore dhe ato janë në nivel të detyrës së tyre. Furnizimi me artikuj ushqimorë dhe artikuj të tjerë dhe medikamente shkon në mënyrë të papenguar, sipas protokoll të vendosur”, theksoi Duka.

Sipas tij problem është paraqitur rreth mësimit nga larg dhe kërkoi prej operatorëve të jenë më solidarë dhe t’i rrisin gigabajtët falas për shfrytëzuesit.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 6, 2020 19:35