Dy viktima në aksidentet e muajit gusht

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 6 Shtator, 2018 20:02

Dy viktima në aksidentet e muajit gusht

Muajin e kaluar në rajonin më të gjerë të Tetovës kanë ndodhur 89 aksidente komunikacioni, ose katër më pak në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar. Dy nga aksidentet e muajit gusht kanë përfunduar me po aq të vdekur, shtatë persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, 66 persona me lëndime të lehta, përderisa në 29 aksidente është shkaktuar vetëm dëm material, i cili në përgjithësi vlerësohet të jetë mbi 3.100.000 denarë.

Numri më i madh i aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e Tetovës, gjegjësisht 49 prej tyre në rrugën e “Ilindenit”, më pas radhitet bulevardi “Vidoja Smilevski Bato”, dhe bulevardi “Marshall Tito”. Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm i këtyre aksidenteve kanë ndodhur në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup, si dhe në rrugët rajonale në drejtim të fshatit Pirok dhe Vollkovijë. Si shkak më i shpeshtë i këtyre aksidenteve, në veçanti i atyre me pasoja më të rënda, sërish është mospërshtatja e shpejtësisë, gjegjësisht nga vozitja e shpejtë kanë ndodhur 26 aksidente, më pas si pasojë e kryerjes së veprimeve të pahijshme në komunikacion kanë ndodhur 20 aksidente si dhe nga mos dhënia e përparësisë së kalimit 14.

Më shumë aksidente kanë ndodhur të enjten, gjithsej 17 prej tyre dhe të mërkurën 16, kryesisht në periudhën kohore nga ora 12:00 deri në orën 14:00 dhe 16:00. Muajin e kaluar, gjithashtu kanë ndodhur 11 dalje nga rruga, ndërsa dy prej tyre janë shkaktuar si pasojë e daljes së kafshëve në rrugë, në të shumtën e rasteve nga qentë endacak, përderisa në 10 aksidente pjesëmarrëse kanë qenë automjetet e parkuara. Në gusht të këtij viti, gjithsej janë kontrolluar 4476 automjete pas çka janë zbuluar 1749 kundërvajtje të ndryshme, për shkak të të cilave nga komunikacioni janë përjashtuar 71 automjete dhe 152 vozitës. Kundërvajtjet e zbuluara muajin e kaluar janë sanksionuar me 622 fletëpagesa për gjobë. /koha.mk

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 6 Shtator, 2018 20:02