E ardhmja e shkollës është në konkurrencë me cilësinë

Redaksia
By Redaksia 3 Tetor, 2023 19:55

E ardhmja e shkollës është në konkurrencë me cilësinë

Cilësia në arsim është vlerë që nuk krijohet për 1 muaj apo 3 muaj, por krijohet me dekada, me përkushtim, punë dhe përgjegjësi. Prandaj duhet të ndalemi të marrim frymë thellë dhe të analizojmë se si ta krijojmë atë. E ardhmja e shkollës është në fokusimin shkencës e institucioneve. Dhe është e rëndësishme që sa më shpejtë të arrihet konsensusi për ndërtimin e shkollës bashkëkohore, moderne, asaj të shekullit 21

Nga Prof. Xheladin MURATI

Çdo ditë e më shumë shoqëria jonë është në një krizë të vërtetë cilësie të arsimit. Shtrohet pyetja: a është cilësia vetëm një element që tregon suksesin apo cilësinë duhet të mësojmë të kuptojmë se çka e bën arsimin cilësor. Mos vallë është mit apo enigmë?Derisa shoqërinë, institucionet arsimore e mësuesit të vetëdijesohen për rëndësinë dhe misionin që ka cilësia, atëherë do të ndalemi të flasim për të. Cilësia enigmë?Ka vështirësi të shumta që qëndrojnë në rrugën e përcaktimit të cilësisë. Megjithatë cilësia është dhe mbetet kategoria më e rëndësishme e mësimit, sepse sfera e shtrirjes së saj është më e gjerë se e çdo kategorie tjetër, sepse ajo mund të hyj dhe hyn në lidhje me gjithë kategoritë e tjera dhe sepse është kategoria më e përhershme në punën mësimore.

Nuk ka forca retrograde që dëshirojnë ta pengojnë të ardhmen e shkollës, por ka forca që e nëpërkëmbin cilësinë dhe përpjekjen për ngritjen e cilësisë e verifikimin e saj. Në këto kushte do të zgjerohej procesi i ringritjes dhe zhvillimit dhe do të kishte një riorganizim të plot të përmbajtjes dhe detyrave sidomos në sferën e avancimit të dijes. Shkolla s’do të ishte më në gjendje që të rrezikonte përparimin e dijes, që ndryshe do të thoshim se ajo do ta shantazhonte misionin e saj. Ndërsa një riorganizim cilësor i dijeve dhe programeve, funksionit dhe misionit do të ishte i kushtueshëm. Për vet shkollën dhe mësuesit nuk do të kishte alternative tjetër. Alternativa e vetme do të ishte ndryshimi në bazë të parimeve themelore të rolit të saj. Në thelbin e proceseve aktuale qëndron fakti se shkolla nuk duhet bërë një forcë degraduese e dijes.

PREMISAT

– Për shkollën, përballja me ardhmërinë duhet të fillojë që nga cilësia.

– Shkolla përballet me një sfidë të vazhdueshme shumë të vështirë me ardhmërinë.

– Shkolla me programet dhe cilësinë e saj do të jetë përcaktuese për gjeneratën e re.

– Shkolla të ndryshoj esencën dhe përmbajtjen, metodologjinë dhe teknologjinë e punës.

QASJET DHE ASPEKTET

Një anë e procesit të mësimdhënies është edhe aftësia e mësuesit për të mbajtur një qëndrim kreativ ndaj mësimit si dhe aftësia e tyre për të siguruar cilësi në mësimdhënie. Që mësuesi t’i vërë re fenomenet e cilësisë, të njohë e të krijoj cilësi në procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies duhet të ketë të zhvilluar ndjenjat e përgjegjësisë. Kjo ndërthurje e ngushtë e cilësisë, punës dhe kurrikulës siguron dy aspekte bazë të shkollës: Së pari, e eviton rrezikun ta shkatërroj kapacitetin e saj për të pasur një qasje më strategjike dhe Së dyti, konkurrenca sistematike ndaj cilësisë nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e shkollës, por me shumë më tepës se sa kaq.

Besoj se këtë e bën teknologjia mbase nxënësit sipas të gjitha parashikimeve në të ardhmen nuk do të dinë të shkruajnë me dorë, nuk do të dinë të njehsojnë e të llogarisin, të konceptojnë dhe hartojnë një ese të shkurtër e të ngjashme. Prandaj bashkë me shkollën duhet të ndryshojnë edhe vizionet, prioritetet, reformat, kurrikulat dhe planet strategjike arsimore për zhvillimin e arsimit dhe metodologjia e mësimdhënies. Sepse procesi mësimor nuk e zhvillon të menduarit logjik, kritik e kreativ. Mungon motivimi dhe ndërtimi i vetëbesimit të nxënësit. Nxënësit kanë nevojë për shkathtësi praktike, aftësi drejtuese dhe aftësi e shkathtësi digjitale. Shkolla ka nevojë për rikonceptim.

Nevoja për ndryshime në arsim e shkollë është e domosdshme në të gjitha nivelet e shkallët. Kapacitetet e vjetruara infrastrukturore duhet përshtatur me modelet e reja të mësimdhënies dhe aplikimin e teknologjive moderne. Pra, sfida e shkollës në të ardhmen janë cilësia e saj dhe dijet bashkëkohore. Që të ndodh kjo ka tri mënyra: 1) Me ua dhënë diturinë falas nxënësve, 2) Diturinë me ua dhënë me dhunë dhe 3) Nxënësit me e ble diturinë. Sa i përket të parës është kotë me pritë se do të kemi cilësi mbase nxënësit (pjesa dërmuese madje mbi 80 përqind) nuk janë të interesuar të mësojnë. Ata presën diplomë pa dije. Prandaj kjo nuk dihet se kur mund të ndodhë dhe nëse ndonjëherë do të ndodhë.

Mundësia e dytë teorike është nxënësit me i bombarduar me dije, që diçka të mbetet në kujtesën e tyre. Mundësia e tretë është vetëdijesimi i mësuesve mos me i shit notat dhe të ndalohet rreptësishtë blerja e diturive me para. Sot shkolla jo vetëm që është më e interesuar ta ruaj statuskuonë por është e gatshme të përdorë të gjitha mekanizmat dhe forcën për ta ndryshuar statusin në favor të bashkëkohësimit dhe modernizimit. Në rast se shkolla do t’u nënshtrohet këtyre impulseve dhe kërkesave ajo nuk do t’i tradhtoj vlerat e saj themelore dhe do të detyrohet të heq dorë nga tradicionalja dhe e kaluara. Kjo do të nënkuptonte pranimin dhe mbështetjen në gjithë progresin për të cilën ajo krenohet. Pasojat do të jenë të paimagjinueshme dhe tërësisht të paparashikueshme për rrethanat e reja në kohën e teknologjisë. Por për vendosjen e pushtetit pedagogjik dhe të dijes duhet të largohet nga frika ekzistenciale dhe të orientohet drejt vlerave demokratike, teknologjike, progresi shkencor dhe mbi të gjitha nga qenia njerëzore.

Kjo aspiratë përfshinë ristrukturimin gnsoeologjk dhe aksiologjik të mësimdhënies pasi ajo duhet të mbetet fuqi globale e dijes. Shkolla nuk ka rivalitet, dija po. Mësuesit janë ata që i japin fuqi dijes, e artikulojnë dhe operacionalizojnë. Dija do të jetë forcë dhe fuqi kur shkollat nuk do të bëhen me hatër dhe notat nuk do të merren me hile e nuk do të blihen me para, madje kur diploma do të reflektoj dije dhe jo padituri. Shkolla nuk do të devijoj nga agjenda e bashkëkohësimit me një kusht nëse arsimi bëhet prioritet. Pra shkolla të faktorizohet si institucion që krijon shanse të barabarta për të gjithë. Atëherë nuk ndodh testi ndërkombëtar PISA (Program for International Student Assessment) apo siç quhet në shqip PVNN (Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve), ku Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova janë të fundit e listës së klasifikuar.

Nxënësit janë vendimtar në punën e shkollës dhe mësuesit janë të lumtur me ta. Ata luftojnë intelektualisht, si lojtar në fushë sporti për të arritur sa më shumë cilësi. Mësuesit tregojnë pasion të madh për nxënësit dhe profesionalizmin që promovojnë. Në fakt, mësuesi është gjithmonë në stërvitje e ngritje profesionale e pedagogjike për sfida të reja. Ata marrin pjesë në çdo sfidë të shkollës dhe bëjnë gjithçka për nxënësit.

Mësuesi paraqitet si kapiten i skuadrës dhe ai ka parasysh çka dëshiron të arrijë. Me përcaktimin e duhur të objektivave ai është gjithnjë në gjendje mobile për sukseset e tij. E vetmja mënyrë për të qëndruar i lumtur dhe për ti dhënë kuptim punës me nxënës është të arrije t’i mësoj nxënësit si të mësojnë dhe të tregoj sukses. Në këtë kontekst, shkollën sot e shikojmë nga aspekti: sa investon në rezultatet e të nxënit; sa është e aftë të nxis dhe zhvilloj kreativitetin tek nxënësit; sa kontribuon në zhvillimin e gjeneratave të reja dhe jo vetëm si i mëson, por edhe çfarë i mëson nxënësit.

Fati i shkollës, ardhmëria e saj është në duart tona. Ajo nuk zhduket vetiu. Kjo do të ishte një breng e madhe dhe një arsye më shumë për modernizimin e saj. Që shkolla t’i shërbej si duhet gjeneratës së re dhe shoqërisë dhe gjithë atyre që u dedikohet, ajo ka nevojë: të përcaktojnë qëllime të qarta;në mënyrë permanente të riorientohet; të reformohet, të ndryshohet në mënyrë cilësore; të zhvillojë jo vetëm anën intelektuale e profesionale, por edhe pikëpamjet dhe aspektet edukative dhe të afirmojë kuptimin social, moral, njerëzor e shoqëror. Mësuesi dhe nxënësi kalojnë shumë orë së bashku, ata e kuptojnë mirë njëri-tjetrin. Ata dinë se ku duhet të jenë dhe ku duhet të arrijnë me planet e tyre. Mësuesi është person i talentuar dhe gjithashtu mirë i aftësuar për punë pedagogjike. Ai e dinë se kur është koha të parashtroj pyetje dhe e kupton mirë përgjigjen e nxënësit. Gjatë orës së mësimit ai bën taktika didaktike mirë të planifikuara dhe ato e plotësojnë njëri- tjetrin.

Shkolla mbetet një institucion i paharrueshëm për gjithë njerëzimin dhe ajo paraqitet gjithnjë mbresëlënëse për të gjithë ata që kanë kaluar nëpër bankat e saj. Sepse nga ajo kanë dale shumë yje e superyje, dijetar e shkencëtar, artist e futbollist, jurist e mjek, inxhinier e muzikant, mësues dhe edukator, politikan e lider botëror etj. Ajo mbetet e paharrueshme sepse të gjithë u zhvilluan në mësonjëtoret e saj për të ndërtuar më vonë karrierën dhe perspektivën e tyre jetësore.

Me kalimin e kohës ajo nuk zbehet por fati i saj, e ardhmja e saj mbetet edhe më tutje në konkurrencën e dijes dhe vlerave që ofron. Ajo gjithnjë është në top formë mbase ajo krijon shanse të mira për të gjithë vijuesit. Prandaj nuk mund të mposhtet shkolla. Shkolla është gjithmonë e dobishme, natyrisht. Prioritetet madhore të shkollës së ardhshme , janë absolutisht: ndryshimi i esencës apo përmbajtjes, formës dhe pamjes; diskutimet për tema me relevancë edukimi dhe ngritje profesionale; krijimi i ideve për reformim dhe zhvillim të personalitetit; plan-programe mësimore të fokusuara te nxënësi dhe cilësia; vendimet për ecje përpara. Në këtë kontekst, lidhur me funksionin dhe ardhmërinë e shkollës po lindin edhe parregullsi e paqartësi të ndryshme dhe të përditshme, të cilat e pengojnë zhvillimin e saj. Por e ardhmja e saj është në duart tona dhe ne e planifikojmë rolin e saj dhe realizimin e mësimit. Si institucion më i rëndësishëm i shoqërisë, ajo nuk duhet të pësoj ngecje përkundrazi zhvillim të gjithmbarshëm.

Duhet pranuar fakti se është e pamundur të bësh diçka për ta penguar shkollën në misionin e saj. Përkundrazi, shkollën duhet përkrahur dhe modernizuar, sepse ndryshe dituritë zhvillohen me shpejtësi të jashtëzakonshme. Mos ecja paralel me zhvillimin e bën shkollën të rrezikshme. Kjo e bën që shkolla të përballet me një sfidë shumë të rëndësishme siç është bashkëkohësimi i saj. Gjithsesi priten kthesa të mëdha në ekonomi, në politikë, në shoqëri dhe teknologji dhe në 10-15 vitet e ardhshme shkolla do të ndryshoj. Por me tempin dhe ritmin e lëvizjes përpara ajo i nënshtrohet dinamikës teknologjike dhe i pranon ndryshimet. Që të inkuadrohet në rrjedhat evropiane dhe botërore:

(1) Shkolla ka nevojë për reformim rrënjësor të sistemit të dijes që ofron.

(2) Të përmbajtjeve që realizon.

(3) Të edukatës që reflekton.

Shkolla, e cila do të jetë edhe përcaktuese e fatit të të rinjve e të shoqërisë bën përpjekje për të mbrojtur autoritetin e saj. Ajo nuk i lëshon nga dora mundësitë për ti zhvilluar dhe kualifikuar të rinjtë për profesione e për jetë. Shkolla është në vështirësi për të gjetur ritmin e lojës pedagogjike. Për formimin e një personaliteti të lirë, të aftë dhe me ndërgjegje të plot morale, sociale dhe kulturore. Shkolla ka nevojë të përsoset vazhdimisht si në aspektin programor ashtu edhe në atë menaxhues.

Shkolla duhet të ofroj mundësi që të gjithë nxënësit të garojnë në mënyrë të barabartë, ndryshe nuk do të ketë forcë reformuese. Megjithatë, duam apo s’ duam të pranojmë, shkolla sot nuk është si dje dhe nesër nuk do të jetë si sot. Ajo ka një rival të madh e të fuqishëm siç është Googl, interneti. Nxënësit nuk mund t’i mashtrojmë se nuk dimë ose të fshehim dituritë. Ato çdo gjë e kanë në internet, në Google qoftë e nevojshme ose e panevojshme. Fëmijët vetë i zbulojnë të vërtetat ose atë që e konsiderojnë të vërtetë.

PËRFUNDIM

Cilësia në arsim është vlerë që nuk krijohet për 1 muaj apo 3 muaj, por krijohet me dekada, me përkushtim, punë dhe përgjegjësi. Prandaj duhet të ndalemi të marrim frymë thellë dhe të analizojmë se si ta krijojmë atë. E ardhmja e shkollës është në fokusimin shkencës e institucioneve. Dhe është e rëndësishme që sa më shpejtë të arrihet konsensusi për ndërtimin e shkollës bashkëkohore, moderne, asaj të shekullit 21. Sepse e ardhmja e saj është në konkurrencë me cilësinë. Për këtë arsye duhet të ketë iniciativa për ngritjen e vazhdueshme dhe përsosjen e aftësimin e mësuesve , profesorëve që ajo të jetë bashkëkohore. (koha.mk)

Redaksia
By Redaksia 3 Tetor, 2023 19:55