E ftuan për ta qortuar, Podcast nga Driton Zenku

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Dhjetor, 2023 00:23

E ftuan për ta qortuar, Podcast nga Driton Zenku

Podcast nga Driton Zenku

Avioni me të cilin po udhëtonte ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u detyrua të fluturonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut, pasi Bullgaria nuk lejoi që ai të kalonte mbi hapësirën e saj ajrore. Ishte kjo një poshtërim diplomatik për politikën ruse.

Pa hyrë në akuzat e opozitës shqiptare, parti të cilat shfrytëzuan momentin për të shënjestruar drejtuesit e shtetit se i hoqën ndalesën kryediplomatit rus, Sergej Lavrov për të hyrë në Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja e këtij të fundit në Samitin e OSBE-së në Shkup, la hapësirë të interpretohet që e ftuan për ta ulur në bankën e të akuzuarit.

E nisi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani në fjalimin e tij në mbledhjen e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup theksoi se agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkatërruar jetët e njerëzve të rëndomtë dhe ka shkelur Aktin Final të Helsinkut, mbi të cilin është krijuar OSBE.

Edhe kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, gjatë fjalimit të tij përmendi agresionin rus në Ukrainë, duke bërë thirrje për ndërprerje të luftës. Kovaçevski deklaroi se me agresionin rus janë shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare dhe vlerat humane.

Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani tha se ngjarjet në Kosovë janë shkëndija e fundit për ta zhvendosur vëmendjen nga konflikti në Ukrainë duke nxitur konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Këto shënjestrime direkte ndaj shefit të diplomacisë ruse, e vunë këtë të fundit në karigen e fajtorit. Edhe reagimet e tij, nuk mundej të ishin ndryshe pos që të vëtëmbrohej. Lavrov pati një fjalim të fortë dhe kritika të forta ndaj OSBE-së. Madje akuzoi që OSBE e ka gjetur veten në një krizë të rëndë dhe e ardhmja e saj është e paqartë. Sipas tij, OSBE është bërë vegël e Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, akuzoi që konkluzat e OSBE-së në këto dy ditë janë të përgatitura paraprakisht.

Duke arsyetuar vendimin për t’i lejuar pjesëmarrjen Lavrovit, shefi i diplomacisë së BE-së Zhozef Borell, tha që Lavrov duhet të dëgjojë edhe një herë se përse Rusia dënohet dhe izolohet.

Sipas tij, do të jetë një rast i mirë për të të dëgjojë drejtpërdrejt nga pjesëmarrësit në këtë takim se pse Rusia është dënuar dhe izoluar, duke shtuar që atëherë do të jetë në gjendje të kthehet në Kremlin dhe t’i raportojë shefit të Kremlinit se BE-ja dhe OSBE-ja mbesin të bashkuara në dënimin e agresionit rus.

Nisur nga këto zhvillime, konkluzioni i gjithë kësaj odiseade do të ishte: E ftuan dhe e lejuan të vjen në samit, për ta poshtëruar, qortuar e akuzuar si përfaqësues i një shtetit okupator e diktorial të përjashtuar nga bota demokratike.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Dhjetor, 2023 00:23

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare