Edhe gjashtë muaj pritje për autobusët në Tetovë

Desk
By Desk December 30, 2019 14:36

Edhe gjashtë muaj pritje për autobusët në Tetovë

Edhe viti 2019 përmbyllet pa përmbushjen e një nga premtimeve kryesore të pushtetit lokal në Tetovë, respektivisht  funksionalizimit të Ndërmarrjes për Transport Publik. Ndonëse në letër pjesa dërmuese e akteve kanë kaluar në këshillin e komunës dhe ndërmarrja tashmë ka themeluar edhe organet, megjithatë e tërë kjo mbetet në letër. Së fundmi edhe në Këshillin e  Komunës së Tetovës  kanë kaluar aktet juridike të sjellura nga bordi drejtues i ndërmarrjes të cilët i hapin rrugë komunës së Tetovës që të vazhdojë me procedurat tjera për furnizim me autobusë.

Sipas informacioneve të fundit, në seancën e fundit të qeverisë së Republikës të mbajtur në Tetovë është biseduar edhe për furnizimin me autobuë të rinj për ndërmarrjen “Tetova Transport” përmes Bankës Botërore. Sipas  këtyre informacioneve, procedurat do të përshpejtohet sa i takon qeverisë që sa më parë të nënshkruhet kontrata. Qeveria, gjegjësisht Ministria e Financave do të jetë garante e kredisë nga ana e Bankës Botërore. Kjo kontratë do të nënshkruhet shumë shpejt, kurse më pas pritet që komuna e Tetovës të marrë kredinë dhe të shpallë tenderin për furnizim me gjashtë autobusë.

Nga komuna kanë njoftuar shkurt se brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm në Tetovë do të arrijnë autobusët dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve. Me lëshimin e autobusëve apo minibusëve në linjat e transportit publik urban, atëherë duhet të fillohet gradualisht me mënjanimin e transportuesve të jashtëligjshëm me furgonë, duke i larguar fillimisht nga bulevardet, dhe pastaj nga rrugët dytësore dhe të sistemohen sipas ligjit ata transportues që duan profesionalisht të merren me këtë punë. Sipas tyre, vite me radhë është punuar për gjetjen e zgjidhjes së transportit publik, dhe janë sjellë disa vendime, si në vitin 2011, është sjellë vendimi mbi përcaktimin e lokacioneve, dhe vendqëndrimeve dhe rrotullimet e autobusëve në territorin e komunës së Tetovës, dhe janë caktuar 45 lokacione për transportin publik që përfshin territorin prej Drenovecit deri në Reçicë te varrezat dhe me pikënisje nga stacioni i autobusëve, kurse për transportin ndërkomunal për territorin e qytetit të Tetovës janë caktuar 8 lokacione.

Buxheti themelor për ndërmarrjen e re “Tetova Transport”  është rreth 25 mijë euro. Zgjidhja e transportit publik mbetet ende vetëm një dëshirë për shkak të aspekteve teknike infrastrukturore ngase shumë rrugë dhe  bulevarde janë të ngushta, mos hapja e bulevardeve të reja, mos pasja e pikave të stacioneve ndaluese të autobusëve prandaj edhe ekziston skepticizëm se për një kohë të gjatë nuk do të zgjidhet problemi i transportit publik.

Pikërisht, mungesa e transportit publik ka bërë që shumë qytetarë të përdorin automjetet private edhe për pak punë që kanë në qytet, përderisa i tërë komunikacioni është përqendruar në pjesën qendrore të Tetovës, ku edhe jo rrallë herë ka shumë kaos në komunikacion por njëkohësisht do të ndikonte edhe në uljen e ndotjes. Tetova në të kaluarën kishte një kompani autotransportuese që organizonte transport publik dhe jo vetëm brenda territorit të komunës së Tetovës por edhe komunat rurale. Më shumë se dhjetë vite kompania “Polet” nuk funksionon dhe praktikisht tetovarët nga një skaj në skaj tjetër për të kryer ndonjë punë duhet që të përdorin automjete. (koha.mk)

Desk
By Desk December 30, 2019 14:36