Edhe nga burgu fitohet buka! Mbijetesë nga shitja e gjevrekëve

Desk
By Desk November 19, 2020 22:15

Edhe nga burgu fitohet buka! Mbijetesë nga shitja e gjevrekëve

Nën hijen e druve, e veshur në rroba të punuara nga leshi në këtë mot të ftohtë, me atë buzëqeshje të ëmbël dhe të sinqertë ulur afër karrocës me simite, Nafie A. thotë se kurrë nuk i është trembur punës. Mbijeton duke shitur gjevrekë e simite, ndërsa respektohet nga të gjithë ata që e vizitojnë Ambulancën e Bit Pazarit.

Edhe nga buka fitohet buka! Kjo mbijetojnë shitësit e gjevrekëve nëpër qoshe të ndryshime të kryeqytetit. Nafie A. është një zonjë në moshë, e cila vjen nga komuniteti boshnjak, ndërsa gëzon respektin e pacientëve që vijnë në Ambulancën e Bit Pazarit. Karroca e saj modeste është mbushur me ushqime, duke filluar prej simiteve të buta me djathë e deri tek gjevrekët tradicionalë që zakonisht konsumohen me jogurtin e kripur të quajtur “Ajran”. Zakonisht, destinacioni i të gjithë pacientëve të Ambulancës së Bit Pazarit nga fillimi e deri në fund është tek gomat e karrocës së saj, pasi ajo qëndron gjithmonë përball portës së ambulancës, e natyrisht që secili prej tyre detyrohet të blejë ushqimin e lehtë të shpejtë që ofron kjo zonjë që herët në mëngjes. Ajo këtë punë e bënë për 17 vite me radhë. Çdo mëngjes, me vullnet dhe pasion për punë vjen për të shitur simitet e saja për t’u shërbyer klientëve, por edhe për të mbajtur natyrisht familjen me bukë. Nuk ka një punë tjetër nga e cila mund të sigurojë mbijetesën e familjes.

Biseduam disa minuta mbi punën e përditshme që ajo bënë. Nga rrëfimi i saj kupton se sa sakrificë e madhe dhe jo e lehtë është për një grua e cila në moshë të thyer – me vështirësi dhe mund të madh lufton për të nxjerrë kafshatën e gojës. Ajo për KOHA thotë halli e detyron njeriun të gjejë zgjidhje për çdo problem. Nën hijen e druve, e veshur në rroba të punuara nga leshi në këtë mot të ftohtë, me atë buzëqeshje të ëmbël dhe të sinqertë ulur afër karrocës me simite, thotë se kurrë nuk i është trembur punës. “Jam grua e moshuar, por kurrë nuk jam trembur punës, e sidomos punës me djersë dhe mund. Çdo mëngjes me bindje për të nxjerrë bukën e gojës me ndershmëri, me aq sa mundem. Unë me karrocën time, siç e shihni, mbushur me simite dhe jogurtë, punoj pothuajse më tepër se 17 vite. Njerëzit, e sidomos punonjësit e ambulancës më respektojnë, ata shpesh herë blejnë ushqim nga karroca ime e vogël, ndërsa mua më bëhet qejfi dhe gëzohem që vlerësohet kjo punë që unë po e bëjë”.

E pyetur për përfitimin që nxjerr nga kjo punë që po e bën, ajo thotë se vërtet përfitimi është shumë i vogël, pothuajse vetëm sa për të siguruar bukën e gojës dhe ushqimeve ditore në treg, pasi sipas saj, nga kjo punë është e paimagjinueshme të bësh diçka më shumë. “Nga çdo simite apo gjevrek që e blen një klient, unë fitoj vetëm 5 denarë, në të shumtën e rasteve, ushqimi nuk shitet edhe aq shumë sepse tanimë gjithandej kemi byrektore të ndryshme me oferta të shumta, dhe secili qytetarë ushqimin e mëngjesit e blenë nëpër ato dyqane, ndërsa ne që punojmë në këtë formë – të them të vërtetën, nuk jemi edhe aq të përfillur, sepse jo gjithsecili vlerëson ashtu siç duhet punën që e bëjmë”. Nafia shprehet se kjo punë nga njerëzit mund të duket shumë e lehtë dhe e pa peshë, por në të vërtet – është ndër më të vështirat. Ajo shprehet se nga qëndrimi i tepërt jashtë nëpër vendet publike, nga i ftohti i ashpër është sëmurë dhe ka fituar diagnozë të rëndë në sëmundjen e eshtrave dhe muskujve. “Më besoni që ndonjëherë kur them se jam e lodhur, njerëzit më thonë: ‘Aman, gjithë ditën je e ulur në karrocë dhe akoma qahesh’. Sinqerisht nuk është ashtu. Nga qëndrimi i tepër jashtë së bashku me karrocën me ushqime nga mëngjesi e deri mesditë, në shi e në borë, në diell dhe në acar, jam sëmurë nga muskujt dhe eshtrat, kohëve të fundit edhe më shumë. Në kontrollet mjekësore, mjeku më thotë lëre punën, sepse mund të të përkeqësohet shëndeti. E ç’ti them unë atij? Nëse unë e braktis punën time, kush do të më ofrojë ndihmë, unë prej kësaj karroce nxjerr bukën”, shprehet ajo.

Gjendjen ekonomike të saj e ka përkeqësuar edhe më shumë pandemia e Kovid-19. Zonja Nafie shpreh dhimbje nga ajo që i ka shkaktuar kjo pandemi, ndërsa thotë se këtë gjendje e ka përjetuar vetëm në luftë. “Jam në humbje, siç e përmenda se nga kjo punë unë nuk jam në gjendje të paguaj as për nevojat elementare, harxhimet e mia mujorëshe. Njerëzit e ruajnë aq shumë paranë saqë edhe një gjevrek 10 apo 15 denarësh ju duket e shtrenjtë për ta blerë, paramendoni se në çfarë gjendje na ka sjellë ky virus. Shpresoj dhe lutem të bëhet më mirë, sepse mos dhashtë Zoti të mbetemi për lëmoshë dhe të zgjasim dorën për ndihmë”.

Zonja Nafia përveç lokacionit përballë Ambulancës në Bit Pazar, përpara disa viteve ka shërbyer edhe si shitëse po i këtyre llojeve të ushqimeve nëpër oborret e shkollave dhe Fakulteteve të ndryshme në Shkup. “Kam disa miq të mi që punojnë të njëjtën punë nëpër oborret e shkollave, por tanimë atje nuk ka studentë sepse, fakultetet janë të mbyllura, andaj ata janë detyruar të i ndryshojnë lokacionet dhe të vazhdojnë në vende tjera. Përpara disa viteve kam punuar si shitëse e simiteve nëpër shkolla dhe fakultete nëpër Shkup, por fitimi ka qenë i ulët dhe tani jam më e kënaqur këtu ku jam”, thekson ajo. Zonja Nafie mes lotëve në sy rrëfen golgotën e saj jetësore. “Kam aplikuar që 14 muaj për ndihmë sociale dhe akoma nuk kam asnjë përgjigje, ndërsa sa i përket ndihmave nga pakot ekonomike – as që kam qenë e përfillur. Vërtet nuk dimë çka të bëjmë, askush nuk interesohet për ne, mjafton që kemi fuqi për të punuar sa për të ushqyer barkun se jo më tepër. Unë ia di për faleminderit karrocës së vogël”. Ajo u apelon të gjitha institucioneve që sado pak të tregohen të drejtë dhe vlerësues për personat që merren me profesion dhe punë të kategorisë së “vetëpunësuar”. (koha.mk)

Desk
By Desk November 19, 2020 22:15