Edhe një vit i humbur me gazifikimin

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 20:27

Edhe një vit i humbur me gazifikimin

Sipas njoftimeve të deritanishme, institucionet e para që do të lidhen në sistemin e gazifikimit janë shkollat, kopshtet për fëmijë, institucionet e komunës, ndërmarrjet publike e kështu me radhë, kurse qytetarët do të duhet të presim akoma.

Ndërtimi i sistemit të gazifikimit në aksin Shkup-Tetovë-Gostivar, i cili filloi në dhjetor të vitit 2016 dhe që pritej të përfundonte në dhjetor të vitit 2019, akoma nuk është përfunduar. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi theksoi se rrjeti i gazifikimit ka arritur në Komunën e Gostivarit, ndërsa vitin e ardhshëm do të vazhdojë drejt Komunës së Kërçovës, në Strugë dhe lidhemi me interkoneksionin, i cili është planifikuar me Republikën e Shqipërisë. “Maqedonia e Veriut në kontinuitet investon në rrjetin primar dhe sekondar sa i përket realizimit dhe ndërtimit të gazsjellësit në vend. Pra, për momentin kemi arritur në Komunën e Gostivarit, vitin e ardhshëm vazhdojmë drejt Komunës së Kërçovës, në Strugë dhe lidhemi me interkoneksionin, i cili është planifikuar me Republikën e Shqipërisë. Deri në fund të këtij viti do të fillojë edhe ndërtimi i interkonektorit të ri, i cili do të mundësojë rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në këtë drejtim”, deklaroi ministri Bekteshi.

Por, kur qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë gazin dhe nëse ka një afat kohor për këtë, Bekteshi u përgjigj se nga viti i ardhshëm qytetarët do të mund të jenë përdorues i gazit. “Qytetarët gazin do të fillojnë ta shfrytëzojnë nga viti i ardhshëm, për shkak se paralelisht me ndërtimin e rrjetit kryesor të gazsjellësit, në përfundim e sipër jemi edhe për firmosjen e kontratës me partnerin privat, i cili do të ndërtojë edhe rrjetin distribues, i cili është i nevojshëm për kyçjen e amvisërive, por edhe njëkohësisht industrisë në përgjithësi”, shtoi më tej Bekteshi.

Paralajmërimet ishin se deri në fund të vitit të kaluar ky rrjet do të përfundojë, dhe do të kryhen testimet e para, ndërsa i tërë ky rrjet është planifikuar që edhe komunat rurale të mund të kyçen, por kur do të përfundojë nuk dihet. Sipas njoftimeve të deritanishme, institucionet e para që do të lidhen në sistemin e gazifikimit janë shkollat, kopshtet për fëmijë, institucionet e komunës, ndërmarrjet publike e kështu me radhë, kurse qytetarët do të duhet të presim akoma. Gazifikimi i qytetit të Tetovës ka qenë pjesë e platformës e të gjithë kandidateve për kryetar të Komunës së Tetovës. Është njoftuar në të kaluarën se Komuna e Tetovës do të themelojë edhe një ndërmarrje që do të menaxhojë me gazifikimin në qytetin e Tetovës ose do të jepet në partneritet publik privat. Sipas informacioneve, ngecje në realizimin e projektit ka patur për shkak të pandemisë Covid 19. Ngecje ishin hasur edhe në shpronësimin e pronave ku duhej të kalojë traseja. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Nëntor, 2021 20:27