Edhe Shkupi shkel vijën e kuqe! Vitin e kaluar, rreth 1000 persona më pak

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Korrik, 2022 20:16

Edhe Shkupi shkel vijën e kuqe! Vitin e kaluar, rreth 1000 persona më pak

Maqedonia vitin e kaluar është tkurrur me afro 10 mijë persona. Fenomeni negativ i rritjes natyrale të popullsisë, i ndikuar sa nga shifrat në rritje të mortalitetit, reduktimit në masë të lindjeve, shtimit të atyre që largohen jashtë vendit ka prekur të gjithë rajonet e vendit. Linjën e kuqe, gjatë 2020 e kaloi për herë të parë Pollogu, rajoni i cili dallohej për rritjen natyrale të popullsisë, duke kaluar në minus.

Trendi negativ i zvogëlimit të popullsisë është thelluar. Rritja natyrale e popullsisë (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) vitin e kaluar llogaritet të jetë – 9868 persona, që do të thotë se me mbi tre mijë persona më shumë sesa një vit më parë është tkurrur numri i përgjithshëm i popullsisë. Fenomeni i rritjes negative të popullsisë, i ndikuar sa nga shifrat në rritje të mortalitetit, reduktimit në masë të lindjeve, shtimit të atyre që largohen jashtë vendit ka prekur të gjithë rajonet e vendit. Linjën e kuqe, gjatë 2020 e kaloi për herë të parë Pollogu, rajoni i cili dallohej për rritjen natyrale të popullsisë duke kaluar në minus (minus 539) persona. Dallimi në 2021 është më i madh (minus 812 persona). Përgjatë dy viteve karakteristike për Pollogun është se humbjet më të mëdha të popullsisë i kanë zonat rurale (minus 522), ndërsa në ato urbane -290.

Në vite, Pollogu është renditur si rajoni i parë, sa i takon moshës mesatare më të re të popullsisë (37 vjeç) e që nga viti 2010 e deri në vitin 2019 ka shënuar shkallën më të lartë të shtimit të popullsisë me 2.5 për qind (kur shkalla totale e rritjes në vend prej 1.1 për qind ). Rajoni i Shkupit, që gjatë 2020 mbeti i vetmi nga tetë rajonet ku popullsia vazhdoi të rritet, ndonëse shumë pak (plus 36 persona), vitin e kaluar shkeli në minus të thellë, me një popullsi të reduktuar me 1459 banorë më pak. Në zona urbane popullsia kaloi në – 1831, por diferencën e bëjnë fshatrat e Shkupit ku popullsia vazhdon të shtohet 372 persona. “Rritja natyrore e popullsisë është negative edhe në zonat urbane, duke arritur në -6731 persona dhe në zonat rurale -3 137 persona. Të dhënat për migrimet e brendshme, brenda të njëjtit rajon, tregojnë se pesha më e madhe prej 37.9 për qind, kanë lëvizjet nga qyteti në fshat, në krahasim me lëvizjet ndërqytetëse me 9.4 për qind. Në totalin e migrimeve në nivel qarku nga qyteti në fshat, peshën më të madhe e ka Rajoni Lindor me 49.2 për qind, ndërsa në rajonin e Pollogut peshën më të madhe e kanë migrimet ndërurale, të cilat marrin pjesë me 52.2 për qind. Bilanci i migrimit të jashtëm është më i madhi në rajonin e Shkupit, 1296 persona dhe më i vogli në rajonin juglindor -51 persona”, thuhet në analizën e Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas të dhënave të ESHS-së, lindjet, gjithsej 18.648, janë më të shumta në zonat urbane (mbi 60 për qind), ku rajoni me më shumë lindje është Shkupi (7256) e Pollogu dhe më pak lindje janë regjistruar në rajonin Lindor

Rajoni i Pellagonisë radhitet i pari sa i takon plakjes demografike, minus 1872 persona, i pasuar nga rajoni Lindor (minus 1518 persona), rajoni i Shkupit, Juglindor minus 1200 ndërsa Pollogu është i fundit, me shifrat më të vogla. Sa i përket strukturës së moshës, popullata në Maqedoni po plaket gjithnjë e më shumë. Në periudhën nga 2010 deri në 2020, pjesëmarrja e popullsisë së re (0-14 vjeç) në total u zvogëlua nga 17.4 për qind në 16.1 për qind dhe pjesa e popullsisë së moshuar (mbi 65 vjeç ) u rrit nga 11.7 për qind në 14.8 për qind. Sipas regjistrimit të fundit popullsisë (në vitin 2021), popullsia numëron 1.836.713 banorë, që do të thotë 223,081 njerëz ose 10 për qind më pak se popullsia e vlerësuar në vitin 2016 dhe 236.989 persona ose 11.4 për qind më pak krahasuar me 2011. Sa i përket strukturës moshore, popullsia po plaket. Nga periudha e vitit 2011 deri në vitin 2021, pjesa e popullsisë së moshuar (65 e lart) u rrit nga 11.8 për qind në 17.2 për qind. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Korrik, 2022 20:16