Edi Rama në Bruksel e tha të vërtetën

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 27 Qershor, 2022 00:13

Edi Rama në Bruksel e tha të vërtetën

Opinion nga: Driton ZENKU

“Qytetarët e Kosovës janë marrë peng dhe nuk lejohet të lëvizin. Kryeministri Rama në Bruksel: Nuk pres të zgjidhet asgjë në Bullgari. Rama në Bruksel: Bullgaria po mban peng dy vende të NATO-s. Rama ia thotë në sy gazetares bullgare: Jeni një turp! Do e ndërtojmë Europën në vendin tonë”, ishin ndër titujt më të shpesht që mund të haseshin në raportimet në media rreth pjesëmarrjes së kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Bruksel. Madje media të huaja shkuan aq largë sa të thonë qå Rama hapi zjarr në Bruksel.

Deklaratat e tij, ngjallën reagime në qarqe politike, intelektule dhe media veçmas në Bullgari por nuk munguan zërat edhe në Shqipëri dhe shtetet e tjera fqinje. Ndaj deklaratave të Ramës u shpalosën vërejtje për sjelljen e “egër”, diplomatike të tij, por nuk pati analiza konkrete mbi përmbajtjen e deklarimeve të tij. U diskutua fjalori politik, por jo edhe thelbi i shqetësimeve të ngriti Rama në samitin dedikuar vendeve të Ballkanin Perëndimor. E gjykuan se tregoi ashpëri në deklarime, por nuk u shtruan në diskutim vërejtjet e tij.

Paraqitja e Edi Ramës në Bruksel pa diskutim që ishte një kupë e stërmbushur ndër vite. Nuk mendoj se vlerësimi se qytetarët e Kosovës janë marrë peng dhe nuk lejohet të lëvizin në zonën shengen që përfshinë territoret e 26 shteteve evropiane, ishe i gabuar.

Nuk mendoj se ishte gabim vlerësimi që Bullgaria po mban peng dy vende të NATO-s, sikuse porosia ndaj gazetares bullgare, kur Rama i tha që: Jeni një turp. Këtu, vërejtje do të kisha vetëm ndaj apostrofimit të gazetares, por që vlerësimi se politika zyrtare e Sofjes është një turp, këtu do të dakordohesha.

Është qasje filozofike thënia që: Atë që e lut mos e hidhëro, por po aq filozofike është thënia që: Nënçmimi sjellë vetëm nënçmim. Duke iu referuar vetos bullgare, Rama tha se një vend i NATO-s “rrëmben” dy vende të tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nën mbikëqyrjen e vendeve të BE-së, që sipas tij qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence.

Parashtrohet pyetja se si duheshte të sillet ndryshe kryeministri i një vendi që ka plotësuar të gjitha kriteret dhe nuk i hapen negociatat e anëtarësimit për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendos një shteti tjetër, në këtë rast Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin e tij Rama deklaroi që: “Është mirë dhe keq të jesh këtu, me të gjithë ju. Mirë, sepse ne duam të jemi këtu, si europianë mes europianësh. Keq, sepse ne nuk mundemi të jemi këtu si europianë në shtëpinë e tyre, por vetëm si mysafirë të një Europe të ndarë”.

“Një Europë të cilën as tragjedia e një pandemie globale në të shkuarën e afërt, as kërcënimi i një lufte tragjike globale në të ardhmen e afërt, nuk kanë mundur ta bashkojnë nën një çati”. Ka ndonjë që e konteston këtë?

“Shpresoj shumë që ndërsa ne, në Ballkanin Perëndimor, vazhdojmë rrugëtimet tona individuale drejt anëtarësimit në BE, duke u përballur me një Bullgari këtu e një Bullgari atje, të mund të marrë formë një çati e përbashkët europiane, më e madhe sesa tavani i plasaritur i BE-së, e cila do të na mbajë të gjithëve bashkë, duke na strehuar gjatë stuhive e duke na lejuar të ndërtojmë të ardhmen si një familje, që jeton në kate të ndryshme të së njëjtës shtëpi”, po këtë ?

E vërteta dhemb, por nuk mund të heshtet përgjithmonë. Edi Rama e tha troq dhe pa pardon.

“Shihni vendin tim, Shqipërinë, 8 vjet pritje si vend kandidat. Ka ndryshuar thellësisht së brendshmi dhe ka marrë shumë përgëzime për arritjet e saj. Mos më keqkuptoni, është bukur të përgëzohesh, por përgëzimet nuk janë punë mes shteteve. Le ta shohim të vërtetën në sy miqtë e mi: Arsyeja se pse 17 vjet pret Maqedonia e Veriut e 8 vjet Shqipëria, përsëri mund të mos mjaftojnë është shpirti i deformuar i zgjerimit”, tha Rama që nuk mendoj se bëri ndonjë gabim.

Në vendet tuaja janë të paktë njerëzit që ende besojnë te BE-ja. Në Shqipëri, të gjithë i besojnë Europës. Edhe sot, të gjithë besojnë te BE-ja. Në Ballkanin Perëndimor janë të shumtë ata që ende besojnë. Koha ikën dhe bota po bëhet gjithnjë e më shumë një vend i rrezikshëm, por është ende një cep në Europë ku njerëzit kanë besim te projekti. Mos lini që ky besim të bjerret pa kthim dhe mos lejoni që BE-ja të katandiset fare si ai kongregacioni i priftërinjve, të cilët debatonin për seksin e engjëjve teksa shembeshin muret e Kostandinopojës. Kështu tha Rama, dhe unë pajtohem plotësisht.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 27 Qershor, 2022 00:13