EDITORIAL: Korrupsioni dhe topi në fushë në fushatë zgjedhore!

Desk
By Desk March 4, 2020 10:06

EDITORIAL: Korrupsioni dhe topi në fushë në fushatë zgjedhore!

Korrupsioni, keqpërdorimet e funksioneve dhe resurseve të shtetit, mitmarrja, zhvatja, janë terme që lidhen me funksionet dhe bartësit e përgjegjësive në institucionet e shtetit. Si terme, ato aktivizohen shpesh dhe veçmas para dhe në fushatat zgjedhore, shkruan Flaka. 

Akuzat e ndërsjella bëhen kryesisht nga këndi opizitar por ndodh që të bëhen edhe nga partnerë të koalicionit. 

Kjo ndodhi së fundmi edhe nga ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev kur tha që: S’mund të lejojmë ndërtime ilegale në Ohër kush si të kujtohet, s’mundet të ndërtojnë në Matkë kujt si të kujtohet, s’mundet të mos ketë përgjegjësi dhe llogari për problemet e rëndësishme të qytetarëve”. 

Deklarata e tij u lidh me kryetarin e Sarajit, Blerim Bexheti dhe këshilltarin komunal në qytetin e Ohrit, Nefi Useini.  

Bazuar në regjistrin e Komunës së Ohrit, hartuar në bazë të rekomandimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë (UNESCO), janë 409 objekte të ndërtuara pa leje që gjinden në zonën e mbrojtur në bregun e liqenit të Ohrit dhe Parkun Kombëtar të Galiçicës, por edhe në pjesën e vjetër të qytetit. Tani Zaev e lidh Oherin me një ndërtim të këshilltarit të BDI-së me një teracë verore. E ky objekt nuk paraqet as 400 dhe as 409 objekte paleje. Ndajshëm ndodh edhe me rastin e Matkës, ku një pronar shqiptar ka ngritur një platformë dhe paraqet pengesë për pronarin tjetër të një objekti hotelier, në këtë rast, të përkatësisë etnike maqedone. 

Kjo deklaratë që zëvendësi i tij i mëhershëm në qeveri, Bujar Osmani e quajti si fjalor parazgjedhor, kuptohet si një taktizim i Zaevit duke hedhur topin në oborr tjetër për tema të ndjeshme siç janë korrupsioni, keqpërdorimet e funksioneve dhe resurseve të shtetit, mitmarrja dhe  zhvatja.

Gjitha këto epitete, i dëgjuam këto tre vite për funksionarët e LSDM. Bie fjala, Frosina Remenska deputete dhe nënkryetare e LSDM, ish deputeti nga lista e LSDM, Pavle Bogoevski i cili u akuzua se porosiste sasi droge nëpërmjet telefonit, akuzat e VMRO-DPMNE për ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe. Bie fjala akuzat në adresë të ministrit të shëndetësisë Filipçe, për ndërtimin e Spitalit Klinik të Shtipit. Apo akuza në drejtim të ministrit Filipçe, se do të harxhojë 300 milionë euro më shumë se sa ishte paraparë  për ndërtimin e Qendrës Klinike në Shkup. Për Filipçe, u ngritën edhe shumë dyshime të tjera për keqpërdorime. 

Nga VMRO opozitare, edhe emri i Zaevit u laku për rastin Zhvatja, duke e quajtur si kupola e gjithë rastit, apo saktësisht si oktopodi i Zhvatjes. Opozita maqedonase ka dorëzuar në Prokurorinë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit materiale të përgjuara për përfshirjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev, në rastin e njohur si “Reketi”, që ka të bëjë me biznesmenin Orce Kamçev, nga i cili janë marr 1.5 milion euro për të përfituar në një proces tjetër gjyqësor që po zhvillohej kundër tij. 

Rasti “Zhvatja”, madje u ndërlidh edhe me emrin e vëlluat të ish kryeministrit, Vice Zaev. Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së pyeti se nëse është e vërtetë se Zoran Zaevi e ka paraqitur i pari rastin, si atëherë është parë ai dhe vëllai i tij me të dyshuarit kryesorë në rastin të cilin ai i pari e ka paraqitur?

“Spine të ndryshme vetëm që t’i ikin përgjigjes së pyetjes se çfarë ka kërkuar Katica Janeva në takim me Zoran Zaevin? Dhe çfarë ka kërkuar tanimë i dënuari, Zoran Milevski-Kiçeec, në takim me Vice Zaevin?”, pyeti Nikollovski. 

Edhe gazetari italian, Laris Gajser, i cili publikoi përgjimet për rastin “Zhvatja” në gazetën “La Verita”, duke folur mbi situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut, shprehet se kryeministri Zoran Zaev është në fund të karrierës së tij dhe se ai nuk është i denjë të përfaqësojë Maqedoninë në Aleancën Atlantike.

U ngritën edhe shumë dilema e akuza në adresë të Zaevit dhe njerëzve të tij, për keqpërdorime të tilla në qeverisjen e tij gati 3 vjeçare. Dhe tani në kohë fushate, Zaev duke përdorur metodën: “sulmi është mbrojtja më e mirë”, tenton që për ngjarjet e tilla të ndjeshme, fajin ta hedh diku tjetër, duke përmendur raste të shpërfillshme dhe të izoluara kundrejt akuzave ndaj tij dhe njerëzve të tij.

Në vitin 2018 u arrestua ish kryetari i Komunës Novo Sellë, Boro Stojçev, një kuadër i LSDM, i cili u kap në flagrancë duke trafikuar cigare ilegalisht. 

E çka tingëllon më keq, ishte Zaev që u burgos për korrupsion dhe u abolua pastaj nga lideri i tij, Branko Cërvenkovski, dhe që si akuzë aktivizohet dhe riaktivizohet saherë që VMRO-DPMNE dëshiron ta gërvisht këtë dregëz. 

Një platformë në Matkë apo në Ohër, nuk krahasohen me qindra objekte paleje që flitet se po ndërtohen në komunën Aerodrom apo gjithandej ku qeverisë LSDM me pushtetin lokal. Flaka

Desk
By Desk March 4, 2020 10:06