Eksperimenti Asociacioni/ Bashkësia…

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 22:26

Eksperimenti Asociacioni/ Bashkësia…

Në Bruksel, më 13 Prill, 2013 u nënshkrua një “marrëveshje ndërkombëtare” ndërmjet Kosovës e Serbisë, e njejta më 22 Prill, 2013 në Qeverinë e Kosovës u miratua me Vendim (Ref. Nr. 1/126), dhe, në po të njejtën ditë, u nxorr një rezolutë nga Kuvendi (Ref. Nr. 04-R-10) me shumicë votash, në mbështetje të kësaj “marrëveshje” e cila, në gjashtë (6) pikat e para të saj flitet për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe përkatësisht mbi ‘statutin’, ‘strukturën’, ‘kompetencat’ dhe ‘statusin ligjor’ të saj. Poashtu, në Kuvendin e Kosovës, është miratuar një Ligj (Ref. Nr. 04/L-199) mbi ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Çka përmbajtësisht e bën të dallojë një marrëveshje ndërshtetërore me atë ndërkombëtare?

Marrëveshjet ndër-shtetërore në përgjithësi janë çdo dakordancë apo pajtueshmëri kontraktuale për të adresuar tema të caktuara me interes të veçantë e të përbashkët, ndërmjet shteteve por edhe entiteve juridike.

Marrëveshjet ndërkombëtare në përgjithësi janë gatishmëri politike formale për t’a konsideruar një institucion, traktat apo konventë, nga shtetet si palë nënshkruese, dhe si subjekte të së drejtës ndërkombëtare, e të cilat janë burim kryesor i së drejtës për rregullimin e marrëdhënieve të caktuara, apo edhe bazë për zgjidhjen e kontesteve të caktuara në marrëdhëniet konkrete ndërkombëtare.

“Lex specialis derogat Lex generalis”

Eksperimenti i quajtur Asociacion/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe sipas dokumentit të nënshkruar në Bruksel nuk n’a paraqitet si “marrëveshje” ndër-shtetërore, sepse Serbia nuk e ka njohur shtetin e Kosovës!. POR, eksperimenti i quajtur Asociacion/Bashkësia …nuk rezulton të jetë as ndërkombëtare!?, sepse Kosova duke mos qenë shtet anëtar i OKB-së, dhe si e tillë “marrëveshjen” nuk e ka regjistruar pranë sekretariatit të OKB-së, siç kërkohet me nenin 21) të Ligji Nr. 04/L-052 për Marrëveshjet Ndërkombëtare e poashtu edhe sipas nenit 102) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të regjistrohen dhe publikohen, për t’i vënë në fuqi. Serbia, nuk e ka bërë një miratim në Kuvend e as nuk e ka regjistruar pranë sekretariatit të OKB-së, sepse ashtu do t’a njihte shtetin e Kosovës. Kështu që, politikisht e proceduralisht, kemi pasur veprime të njëanshme institucionale.

Përtej, përkufizimeve ligjore, kjo “marrëveshje ndërkombëtare mbi Asociacionin/Bashkësinë …” është e paprecedentë, mbase për shkak të karakterit eksperimental juridik-administrativ. Miratimi i “marrëveshjes” i një anshëm, duke qenë i miratuar në Qeveri e Kuvend, vetëm nga pala jonë, e humb postulatin fundamental mbi marrëveshjet ndërkombëtare, që ka të bëj me tekst identik dhe procedurë analoge ndërmjet palëve respektive; e poashtu, njëra palë nuk mundet njëanshëm të mungoj apo shtoj ndonjë klausolë.

Doktrina juridike ndërkombëtare, nuk njeh praktika që marrëveshjet ndërkombëtare, të miratohen me kusht! siç, ka ndodhur në rastin tonë; me kusht, sepse, ishte lënë mundësia që Gjykata t’a vlerësoj kushtetutshërinë e saj. Prandaj, të merren përgjegjësi mbi themelimin dhe funksionalizimin e Asociacionit/Bashkësisë …por, me klauzolën e kushtit, ishte në kundërshtim me parimet elementare të marrëveshjeve ndërkombëtare. Si e tillë, “marrëveshja” mbeti juridikisht e pa qëndrueshme, e pa drejtë në kuptim të rregullimit shtetëror unitar të Kosovës, e dëmshme politikisht, si dhe kundër frymës kushtetuese duke cenuar paragrafin 1) të nenit 3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sikundër dihet, pa rreshtur, po kërkohet e po bëhet presion kohor, kundrejt Qeverisë së Republikës së Kosovës, që t’a bëj të mundur funksionalizimin e Asociacionit/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, duke e kërkuar si përmbushje të obligimit ndërkombëtar. Të paktën, kështu po na e shesin.

Atëherë, Qeveria e Kosovës i ka dy rrugë para vetes, e para, mundet ta pranojë si të mirëqenë kërkesën për themelimin dhe funksionalizimin e Asociacionit duke e draftuar statutin apo, e dyta, pikat e “marrëveshjes” mbi Asociacionin t’i përcjellë në Kuvend për shfquqizim me të njëjtat arsyetime siç i referoheshin dikur: “Zajednica” ka vdekur.

Është obligim i yni që të mos e lejojmë ringjalljen e saj.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 22:26