Ekspertët e sigurisë: Marrëveshja e emrit nuk cenon asnjërën palë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 25 Shtator, 2018 17:51

Ekspertët e sigurisë: Marrëveshja e emrit nuk cenon asnjërën palë

Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë sa i përket çështjes së emrit, nuk cenon asnjërën nga palët në marrëveshje. Kështu vlerësuan ekspertët në panel diskutimin e sotëm të organizuar nga Asociacioni i shoqatave nga sfera e sigurisë me temë “Maqedonia para shansit historik”. Në panel u diskutuan faktet e marrëveshjes me Greqinë, ndarja e shoqërisë që po shkakton kjo marrëveshje, si dhe pritjet pas votimit në referendumit të 30 shtatorit.

“Në suaza ndërkombëtare, siç e dini, ne kemi një emër shumë të gjatë IRJM, pra thirremi në diçka që tashmë nuk ekziston, kurse me këtë marrëveshje ne precizohemi saktë si shtet edhe me pozicion të caktuar gjeografik. Me këtë marrëveshje aspak nuk na cenohet identiteti, palët e dakorduara nuk kanë pretendime territorial njëra ndaj tjetrës, pra edhe kjo është njëra nga pikat e rëndësishme të marrëveshjes”,- deklaroi profesori i universitetit, Temelko Risteski.
“Pjesa më e madhe e shpenzimeve që do të kemi në NATO janë për përforcimin e sistemit tonë të sigurisë dhe forcat që i bëjmë në atë sistem janë përgjegjësi nacionale. Nuk qëndron ajo që pjesa e caktuar e buxhetit sa është tani për mbrojte do të shkojë e gjitha për shpenzimet NATO-s”,– theksoi Miroslav Stojanov nga Klubi i Gjeneralëve.
“Në këtë moment ne nuk dimë se si do të jetë vazhdimi i këtij procesi, pasi vazhdimi i gjithë këtij procesi që do të pasojë është i ndërlidhur ngushtë me rezultatin e referendumit”,- tha Blagoja Markoski nga Forumi Ballkanik për Siguri.
Nga Asociacioni i shoqatave nga sfera e sigurisë si iniciues të debatit theksuan se diskutimi realizohet me të vetmin qëllim, që qytetarët të kenë një pasqyrë më të detajuar sa i përket situatës aktuale në të cilën gjendet shteti si dhe sfidat me të cilat do të përballet në të ardhmen.
Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 25 Shtator, 2018 17:51