Ekspertët: Pas 16 majit nuk vlejnë vendimet e qeverisë

Desk
By Desk May 4, 2020 19:30

Ekspertët: Pas 16 majit nuk vlejnë vendimet e qeverisë

Vallë dekretet e miratuara nga Qeveria gjatë gjendjes së jashtëzakonshme kanë fuqi ligjore vetëm derisa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme? Këto dilema juridike u imponuan në opinion pas interpretimit të ndryshëm të nenit 126 të Kushtetutës i cili e precizon miratimin e dekreteve nga Qeveria në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, të shkaktuar nga pandemia botërore me Kovid 19.

Neni 126 i Kushtetutës së Maqedonisë

“Në rast të ekzistimit të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme Qeveria në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin miraton urdhëresa me fuqi ligjore. Autorizimi i Qeverisë që të miratojë urdhëresa me fuqi ligjore zgjatë deri në përfundimin e gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, për të cilën vendos Kuvendi”.

Muaji i dytë i gjendjes së jashtëzakonshme në vend kalon më 16 maj. Qeveria miratoi disa dekrete që kanë fuqinë e ligjit. Një pjesë e tyre janë masa financiare për sektorin privat dhe arsimin. Në Ministrinë e drejtësisë pyetëm, deri kur këto dekrete kanë fuqi ligji. Na sqaruan se dekretet janë në të njëjtin nivel juridik me ligjet. Gjithashtu thanë se Kushtetuta nuk sqaron deri kur mund të vlejnë këto dekrete, por e precizon autorizimin e Qeverisë të mund të miratojë dekrete derisa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme. Ministria për këtë thirret edhe në Komisionin e Venecias sipas të cilit, masat e miratuara në gjendje të jashtëzakonshme kanë ndikim ligji edhe pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Ministria e drejtësisë

“Është e qartë se edhe Komisioni i Venecias nuk e lidhë veprimin juridik të dekreteve me fuqi ligji vetëm me kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në fakt edhe sipas praktikës komparative kushtetuese njëjtë si në mendimin e Komisionit të Venecias lihet një periudhë e caktuar kohore në të cilën parlamentet adekuate të mund t’i konfirmojnë masat e marra në gjendje të këtilla të jashtëzakonshme, pas cilës periudhë kohore dhe në mungesë të konfirmimit nga Kuvendi ato ndalojnë të vlejnë”

Por ekspertët kushtetues që i kontaktuam thanë se ne jemi mes vendeve të rralla që janë në gjendje të jashtëzakonshme dhe pa parlament efektiv. Pa kuvend masat e marra nga Qeveria në gjendje të jashtëzakonshme nuk kanë mundur të verifikohen. Kështu, sipas tyre dekretet e miratuara në gjendje të jashtëzakonshme vlejnë edhe derisa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme. Ekspertët juridik theksojnë se dekretet e qeverisë do të kishin efekt të përhershëm vetëm pas thirrjes së Kuvendit që është gjë kyçe në këso situata, pas çka kuvendi do i verifikonte masat e Qeverisë që janë miratuar “ad hok” dhe që janë me veprim të kufizuar, të shkaktuar nga pandemia me Korona virusin.

Desk
By Desk May 4, 2020 19:30