Escobar dhe Lajçak, takime me Osmanin, Kurtin dhe liderët opozitarë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Qershor, 2023 19:23

Escobar dhe Lajçak, takime me Osmanin, Kurtin dhe liderët opozitarë

Rruga e vetme për stabilitet afatgjatë dhe të qëndrueshëm në veri të Kosovës, është ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve.

Kështu ka theksuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin me përfaqësuesin special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin e zyrës së presidentes thuhet se në takim, Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të Kosovës të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore.”, thuhet në njoftim.

Në takim me të dy emisarët, presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me ShBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Por, liderët opozitarë pas takimit me Escobar dhe Lajçak kanë kritikuar Kurtin dhe Osmanin për siç kanë thënë ata zhgënjimin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë. Zgjidhja është Qeveria.”, – deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqin.

“Po futemi në një situatë bukur shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese, për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj dhe të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë.”, – theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Escobar dhe Lajçak mbrëmë kanë takuar kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kanë propozuar në emër të bashkësisë ndërkombëtare tre elemente. E para, çtensionimi i situatës në terren. E dyta, zgjedhje të reja të shpejta në veri dhe së treti, rikthimi në dialog dhe procesi i normalizimit.

Escobar dhe Lajçak janë takuar në Prishtinë edhe me liderët e Listës Serbe, për të udhëtuar më pas drejt Beogradit, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 6 Qershor, 2023 19:23

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare