ESSh: Regjistrimi të shtyhet në prill të vitit 2021

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 29, 2019 19:21

ESSh: Regjistrimi të shtyhet në prill të vitit 2021

Enti Shtetëror i Statistikave i propozon Ministrisë së Drejtësisë, që mbajtja e Regjistrimit të shtyhet për në prill të vitit 2021, ndërsa Ligji për regjistrim të miratohet para krijimit të qeverisë teknike.

“Enti i Statistikave informon se në përputhje me praktikën dhe përvojën e vendosur ndërkombëtare, regjistrimi dhe aktivitetet zgjedhore nuk mund të zhvillohen paralelisht, ndërsa ligji për këtë operacion të miratohet para formimit të qeverisë teknike”,- thuhet në një komunikatë të Entit Shtetëror të Statistikës.

Zaev: Regjistrimi, në vjeshtën e vitit 2020 apo prillin e 2021

Kryeministri, Zoran Zaev, tha sot se do të respektohen rekomandimet e Entit Shtetëror për Statistikë, por se është shumë e rëndësishme që së pari të miratohet Ligji për regjistrimin. Vjeshta e vitit 2020 apo prilli i vitit 2021 janë dy periudhat e mundshme për mbajtjen e regjistrimit, thotë kryeministri.

“Tani që u morëm vesh që zgjedhjet të mbahen në prill të vitit 2020, e humbim mundësinë në pranverë që të mbahet regjistrimi. Unë këto ditë pres një analizë profesionale nga Enti për Statistikë, që t’i propozojnë qeverisë se si ata e parashikojnë të mbahet regjistrimi, përkatësisht njëra mundësi është në vjeshtë të vitit 2020, tjetra mundësi është që të mbahet në vitin 2021. Ne do të respektojmë propozimin e tyre”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Po ashtu drejtori i EShS-së, Apostol Simovski, ka hedhur poshtë deklaratat e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, se Enti Shtetëror i Statistikave sajon raporte me urdhër të Qeverisë. Për shkak të pretendimeve për shpifje, EShS do të padisë për shpifje Mickovskin dhe VMRO-DPMNE-së, thuhet në kumtesën e Entit të Statistikave.

VMRO-DPMNE: Në vend të përgjigjeve, Simoski kërcënohet me padi

Por, nga VMRO thonë se në vend të përgjigjeve, Enti i Statistikave kërcënohet me padi. Duke përsëritur akuzat ndaj Entit të Statistikave theksojnë se ky institucion po i keqpërdor statistikat për shkak të nevojave të pushtetit.

“Ekzistojnë dëshmi për tregues ekonomikë shkruaj-fshijë, që dalin nga Statistika Shtetërore me porosi të pushtetit për bilanc të rrejshëm të përmirësuar ekonomik”,- tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Kërcënimet me padi nga drejtori Simovski vetëm i vërteton dyshimet për parregullsi në punë, thonë nga VMRO-DPMNE, nga e cila pyesin drejtorin Simovski nëse ka pasur të punësuar që janë dorëhequr për shkak të informacioneve të rrejshme dhe a janë fabrikuar rezultatet nën diktat të qeverisë. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 29, 2019 19:21