Evropa midis SHBA-ve dhe “autonomisë strategjike”

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Qershor, 2023 20:14

Evropa midis SHBA-ve dhe “autonomisë strategjike”

Pajtimi strategjik ka nevojë për një vrull. Nismat e ndrojtura për të nxitur prokurimet dhe investimet e përbashkëta janë inkurajuese, por nuk mjaftojnë. Nëse Evropa synon që të bëhet garante e sigurisë së saj, nevojitet shumë më tepër. Dhe udhëheqja do të jetë vendimtare – jo për t’u shkëputur nga SHBA-ja, por për të qenë partnerë më të fortë për SHBA-në, pavarësisht se çfarë mund të rezervojë e ardhmja

Nga Mathieu DROIN

Deklaratat e forta të presidentit francez Emmanuel Macron për POLITICO, menjëherë pas kthimit të tij nga vizita zyrtare në Kinë, shkaktuan zemërim në të gjithë komunitetin transatlantik. Dhe reagimi më i ashpër erdhi nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Reagimi ishte dukshëm një simptomë e nervozizmit. Shumica e qeverive evropiane kanë frikë se mos dëmtojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi angazhimi i kësaj të fundit për mbrojtjen e Evropës, është dëshmuar më jetik se kurrë më parë me luftën në Ukrainë. Por mund të ketë një lloj mashtrimi tek të menduarit se mund të mbështetemi pafundësisht tek angazhimi amerikan në kontinentin e vjetër. Prandaj që kjo marrëdhënie të qëndrojë e fortë, ajo ka tani një nevojë urgjente për një “pajtim strategjik” midis evropianëve. Kjo kërkon lënien mënjanë të debateve konceptuale toksike, si dhe përshpejtimin e përpjekjeve për të ndërtuar një mbrojtje më të fortë evropiane, një mbrojtje kjo që nuk është e dyfishtë, por në harmoni me atë të SHBA-së. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, shumica e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ndihen se kanë pasur të drejtë në paralajmërimet e tyre të dikurshme në lidhje me Moskën.

Ato kishin përsëritur jo pak herë se Perëndimi nuk po tregohej sa duhej i ashpër me Rusinë, se varësia nga hidrokarburet ruse ishte një gabim strategjik, dhe se dialogu me presidentin rus Vladimir Putin ishte i barabartë me një bekim për sjelljen e tij problematike.

Po ashtu, ato kishin të drejtë kur këmbëngulnin se vetëm SHBA-ja mund t’u vinte në ndihmë. Prandaj, këto vende janë të lumtura që tani po e varrosin konceptin e “autonomisë strategjike” evropiane, që i referohet aftësisë së kontinentit për të vepruar dhe vendosur vetë, pra pa kërkuar lejen e Amerikës. Sepse ndërsa e kanë pranuar konceptin në letër, në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian, shumica e Evropës Qendrore dhe Lindore e shohin atë si rrezik për një shkëputje nga SHBA. Ky moment pason 4 vjet përpjekje nga ana e Francës për të mbështetur “autonominë strategjike evropiane”, kur ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë Evropës një shembull se si mund të ishte një marrëdhënie e brendshme, transaksionale e SHBA-së me Evropën. Disa qeveri të Evropës Qendrore dhe Lindore u alarmuan dhe mbrojtën disa nga arritjet e tyre në fushën sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së. Dhe situata nuk u ndihmua as nga përplasjet e mëvonshme të sikletshme që përfshinin Evropën në vitin e parë të administratës së presidentit Joe Biden si tërheqja kaotike dhe e koordinuar dobët nga Afganistani dhe shpërndarja e papritur e AUKUS në Indo-Paqësorin.

U desh lufta Rusi-Ukrainë për t’i ndryshuar gjërat. Atëherë, cila anë e Evropës qëndron tani në anën e duhur të historisë? A jemi dëshmitarë, siç pretendojnë shumë, të një zhvendosje në ekuilibrin brenda-evropian të fuqisë larg “Evropës së vjetër” dhe kufijve të autonomisë strategjike?

Duhet që debati mbi autonominë strategjike të mos kornizohet mbi atë se sa prani të SHBA-së duam ne në Evropë, pasi ajo që ka rëndësi në planin afatgjatë, është se sa SHBA-ja do të jetë e pranishme në Evropë. Dhe përgjigja për këtë nuk gjendet as në Ukrainë, Bruksel, as në Varshavë apo në Paris, por në Uashington, dhe është në shtete si Ohajo dhe Kaliforni. Pavarësisht se kush e fiton presidencën në vitin 2024, si demokratët po ashtu edhe republikanët duan që kombet evropiane të marrin më shumë nga barra ushtarake në Evropë. Në këtë mënyrë, është urgjente ndërtimi i një mbrojtjeje më autonome evropiane. Sigurisht, në të dyja anët e Atlantikut, pranohet se Evropa duhet të jetë më proaktive dhe të shpenzojë më shumë për mbrojtjen. Por deri më tani, për sa i përket politikës, përgjigja nga shumica e kryeqyteteve të BE-së dhe ekspertëve transatlantikë është se qëllimi duhet të jetë një “shtyllë më e fortë evropiane brenda NATO-s”.

Kjo është një qasje e mirë, por prej saj nuk do të nxirreshin mësime nga vitet e presidencës Trump apo nga lufta në vazhdim, se varësia evropiane nga SHBA-ja është një thembër e Akilit për Evropën, po ashtu edhe një detyrim për SHBA-në. Konteksti aktual nuk e bën të ndryshëm realitetin.

Instikti i Evropës për t’u fshehur pas SHBA-së, mbërriti kulmin e tij me debatin e madh për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë. Zhbllokimi i vendimit të Berlinit i kushtoi amerikanëve 31 tanke M1 Abrams. Dhe ndërsa ky episod është paraqitur si provë e vendosmërisë së SHBA-së, ai është në fakt dëshmi flagrante e kostos së pavendosmërisë evropiane. Një shembull tjetër i mrekullueshëm është prokurimi. Ndërsa shumica e vendeve evropiane po ndajnë burime të reja për të përmirësuar ushtritë e tyre, një pjesë e rëndësishme e porosive të bëra deri më tani janë në dobi të ofruesve jo-evropianë, si SHBA, Izraeli ose Koreja e Jugut. Për disa kjo tregon se baza industriale e Evropës nuk është e gatshme ose mjaftueshëm konkurruese për kohë lufte. Por ky është një gjarpër që e kafshon bishtin e vet. Evropa nuk do të jetë kurrë në nivelin e duhur, në rast se nuk e ndien domosdoshmërinë, ose nëse nuk beson në aftësinë e saj, për të ndërtuar një bazë të fortë mbrojtëse-industriale të saj.

Izraeli dhe Koreja e Jugut janë në fakt 2 shembuj të shkëlqyer të vendeve që kanë qenë historikisht të varura nga garancitë e sigurisë së SHBA-së, por që kanë vendosur të investojnë seriozisht në bazat e tyre mbrojtëse-industriale, duke i kthyer ato në eksportues neto – dhe kjo nuk i ka dëmtuar marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara

Megjithatë, siç theksohet nga reagimet ndaj komenteve të Macron, autonomia strategjike është dëshmuar si një konstrukt intelektual tepër përçarës për të shërbyer si një koncept tërheqës për të ardhmen. Por ajo parashikon se ka potencialin për t’i shërbyer interesave evropiane dhe amerikane, teksa ka një nevojë urgjente për “pajtim strategjik” midis Lindjes dhe Perëndimit të Evropës. Dhe kjo nuk është një detyrë e lehtë. Së pari, evropianët do të mbeten robër të historisë dhe gjeografisë të tyre. Megjithatë, ekzistojnë disa mënyra për të gjetur gjuhën e përbashkët. Vendet e Evropës Perëndimore, duke filluar nga Franca, duhet të pranojnë kostot dhe vështirësitë e rrugës, nëse blloku do të veprojë në mënyrë autonome. Nga ana tjetër, është jetike të ruhet një narrativë që e nxit SHBA-në të qëndrojë në Evropë. Anasjelltas, Evropa Lindore duhet ta pranojë se rritja e fundit e përfshirjes së SHBA-së në kontinentin e vjetër mund të jetë në fakt një epilog.

Ato nuk mund të shpërfillin zërat me ndikim në Uashington, të cilët mund të kenë një rol në një administratë të ardhshme amerikane, dhe që po bëjnë thirrje për një orientim radikal nga Evropa në Indo-Paqësor. Nuk mund të thuhet se ato janë vetëm pikëpamjet e disa elementëve të izoluar republikanë, por kanë edhe një konsensus dypartiak siç shihet edhe në Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, e cila vendos fokusin kryesor tek Kina si “sfidantja kryesore”.

Prandaj, pajtimi strategjik ka nevojë për një vrull. Nismat e ndrojtura për të nxitur prokurimet dhe investimet e përbashkëta janë inkurajuese, por nuk mjaftojnë. Nëse Evropa synon që të bëhet garante e sigurisë së saj, nevojitet shumë më tepër. Dhe udhëheqja do të jetë vendimtare – jo për t’u shkëputur nga SHBA-ja, por për të qenë partnerë më të fortë për SHBA-në, pavarësisht se çfarë mund të rezervojë e ardhmja.

(Mathieu Droin është bashkëpunëtor në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 8 Qershor, 2023 20:14
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.