Faruk Neziri, mbret i kuzhinës në Itali, Austri dhe jo vetëm

Faruk Neziri, mbret i kuzhinës në Itali, Austri dhe jo vetëm

Nuk kanë të ndalur sukseset e kuzhinierit gostivaras me famë botërore, Faruk Neziri. Së fundmi, Neziri shënon suksesin e radhës në Mantova të Italisë. Në qytezën piktoreske Castelluchio të pasur me traditë të gjatë historike dhe kulturore, Faruk Neziri ka hapur në mënyrë solemne restorantin e tij të ri që mban emrin e kësaj qyteze, shkruan Flaka 

E kësaj radhe, për dallim prej konceptit të mëhershëm, Neziri kësaj radhe sjell një koncept më të avancuar. Projekti i tij i ri përbehet nga katër struktura në një vend: restoranti ekskluziv, hoteli, piceria dhe bar kafeja. E në hapjen solemne ishte edhe Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe të ftuar të tjerë nga Maqedonia e Veriut.

Në një prononcim për Agjencinë e lajmeve Flaka, Neziri kuzhinën e quan Kulturën më të vjetër në Botë, ndërsa kur e përmend fasulen thotë se nga ajo mund të bëhen specialitete të mrekullueshme.

Dhe nëse fasulja llogaritet si një nga ushqimet tradicionale të Kuzhinës Shqiptare, ai thotë se mund ta transferon nga receta klasike në atë moderne dhe ta bëjë ndër ushqimet më të shijshme të Kuzhinës Botërore. Është ky kuzhinieri i mirënjohur shqiptar me prejardhja nga Çegrani i Gostivarit, Faruk Neziri. Ka lindur në Bihaq të Bosnjës ku prindit e tij kanë jetuar përkohësisht.

Para një periudhe Neziri kishte fituar çmimin e parë në një garë që është mbajtur në qytetin Kremona të Italisë, ku kanë marrë pjesë kuzhinierë nga Italia, Gjermania, Zvicra, Spanja, Franca dhe dy kandidatë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm dy kandidatë u nderuan për talentin në botë për përsosmëri. Por kjo nuk ishte intenca e bisedës, sepse ky lajm është i vjetër për karrierën e tij dinamike.

Në vitin 2016, Neziri bashkë me një banor tjetër nga Gostivari i cili aktualisht vepron në shtetin austriak, kanë bashkuar kapitalin, idetë dhe potencialet për të realizuar një projekt joshës në zemër të Gracit të Austrisë. Në sheshin e këtij qytetit austriak nisi me punë restoranti me emrin “La Perla”. Eksperienca mbi 20 vjeçare e dy gostivarasve që u bashkuan rreth kuzhinës, idetë dhe vizionet që kishin, lejon të besohet se suksesi i tyre nuk do të vihet në diskutim dhe se “La Perla”, do të jetë ndër restorantet më të preferuara të elitës austriake, sepse shefi i Kuzhinës do të jetë personi i cili në vitin 2013 u shpall
kuzhinieri më i mirë në Itali, në kategorinë e përgatitjes së ushqimeve nga peshku dhe frutat e
detit.

Kur flet për Kuzhinën dhe kuzhinierët shqiptar, Neziri thotë se arritjet e tyre janë të lakmueshme, edhe pse thotë se Kuzhina nuk ka fund dhe çdoherë hapen horizonte të reja.

Në këtë drejtim, Neziri përmend trinomin e Kuzhinës Shqiptare në trekëndëshin Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Faruk Neziri, Sokol Prenga dhe Përparim Babaliu llogariten si tre emrat më të spikatura shqiptare në nivel të Kuzhinës ndërkombëtare.

Punën në kuzhinë e filloi në Romë për të vijuar pastaj në qytezën e vogël Asola, në provincën e Montovës të Italisë.

“Prindërit e mi kishin një ëmbëltore të vogël. Aty fillova t’i ndiej aromat e para, në laboratorin e pastiçerisë së prindërve të mi. Aty aromat  e para u futën në kokën time dhe nuk u larguan më pavarësisht se ajo nuk ishte kuzhina, të cilën unë e imagjinoja. Nga ana tjetër, pastiçeria është degë e rëndësishme për një shef. Kjo mund të them që ishte pikënisja ime, më pas vijoi shkolla dhe eksperiencat e reja që pasuan njëra- tjetrën”, thotë Neziri.

Për shkak të imazhit të përhapur në mbarë Italinë, në restorantin ku punon tani Neziri, rregullisht frekuentojnë figura të njohura të politikës, biznesit, estradës, kulturës dhe artit italian.

“Në Bihaq kam lindur, kurse jam rritur në Gostivar, ku prindit e mi janë kthyer prapë. Në Gostivar e kam kryer shkollën e mesme dhe pastaj kam emigruar në Itali”, thotë Neziri nuk folur për lëvizjet e bëra në jetë. Edhe pse ka arritur majat më të larta të suksesit, në një vend si Italia të njohur për kuzhinën e vet, Faruku është modest dhe nuk dëshiron të flasë shumë për karrierën e tij. Sukseset që ka arritur në karrierën e tij si kuzhinier, nuk kanë mbetur pa u hetuar nga mediat më të njohura në Itali. Gazetari Osvaldo Murri, nga kompania më e madhe mediale “Mediaset”, Nezirin e përshkruan si një personazh më me influencë dhe me ndikim të madh në vendin ku jeton për momentin dhe më gjerë. Asola, qytezë e vogël në rrethinën e provincës së Mantovës, vend i njohur dhe me restorante të famshëm që janë krenari e mjeshtërve të enogasronomisë Italiane.

Kur flet për kuzhinën tradicionale shqiptare, thotë se ajo detyrimisht duhet të transformohet me qëllim që ti bëjë ballë kohës dhe rivalitetit me kuzhinat e popujve të tjerë. Vitet e fundit kanë kultivuar kualitet të lartë si dhe mikpritjen, duke siguruar vlerësim dhe garanci të nivelit të lartë italian”, ka raportuar gazetari Murri lidhur me aftësitë e kulinare të Nezirit. Afinitetet e tij u dalluan edhe nga media shqiptare.

Gjatë vizitave të fundit në vendlindje, Neziri po ftohet në televizione të ndryshme kombëtare siç
ishte rasti me Top Channel, Tv Klan, RTK, TV21 Kosovë dhe Maqedoni, Alsat-M”, dhe gjetiu.
Pas një karriere të suksesshme shumë vjeçare, i nxitur nga miqtë e tij, Neziri ka vendosur të
botojë një libër për specialitete të kuzhinës, që është bë mjaft i popullarizuar në Itali dhe vende tjera të BE-së.

Neziri paralajmëron se së shpejti ky libër do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Neziri njihet edhe si artist figurativ. Disa punime të mrekullueshme artistike, gjegjësisht në pikturim, e kanë bërë atë edhe më të famshëm në mesin e Italianëve.

Kryeparlamentari Xhaferi këtë vit, dekoroi kuzhinierin e njohur, Faruk Nezirin

Shefi i njohur shqiptar i kuzhinës, Faruk Neziri, ka shtuar edhe një dekoratë në vitrinën e trofeve dhe mirënjohjeve. Në këtë mënyrë, njeriu numër dy në Maqedoni, ka shprehur mirënjohje për punën që po bën Neziri në afirmimin e shqiptarëve dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Faruk Neziri është një ndër shefat më të famshëm shqiptarë të kuzhinës. Ai është dekoruar shumë herë si në Itali, ku ka zhvilluar pjesën më të madhe të karrierës, por edhe në nivel evropian. Neziri është edhe një ndër bartësit e projektit “Shija Shqiptare”, projekt që me sukses po e promovon kuzhinën shqiptare në nivel evropian dhe botëror. Flaka

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 14, 2019 09:14

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA