Fati i PSP-së, ndërkombëtarët ftojnë partitë të gjejnë zgjidhje

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 11, 2019 19:11

Fati i PSP-së, ndërkombëtarët ftojnë partitë të gjejnë zgjidhje

Derisa pushteti dhe opozita po përpiqen të gjejnë gjuhë të përbashkët lidhur me propozim-ligjin për Prokurorinë Publike në kuadër të së cilit pritet të përcaktohet edhe fati i PSP-së, faktorët ndërkombëtarë konsiderojnë se PSP-ja duhet të vazhdojë të punojë pa pengesa.

Ambasadori suedez, Mats Stefanson, gjatë një takimi me prokuroren speciale publike, Katica Janeva, dhe bashkëpunëtorët e saj, ka theksuar se PSP në të ardhmen duhet të bëhet pjesë e përhershme e sistemit juridik në Maqedoninë e Veriut, me mandat të zgjeruar për veprim me rastet tjera të korrupsionit në nivel të lartë.

“PSP duhet ta mbajë rolin e saj vendimtar përmes sigurimit të kapaciteteve dhe pavarësisë së saj. Sepse ka ndikim të qartë ndaj perspektivës së BE-së në Maqedoninë e Veriut, partitë politike dhe Kuvendi duhet ta zgjidhin këtë çështje me urgjencë të madhe”,- ka porositur Stefanson në takimin me Janevën, njoftojnë nga Ambasada suedeze.

Edhe ish-ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Ervan Fuere, thotë se PSP-ja duhet të vazhdojë të punojë pa pengesa, teksa është shprehur i brengosur nga kufizimet e mundshme në punën e saj si rezultat i kompromiseve me opozitën, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

“Jam i brengosur kur e shoh numrin e kompromiseve që bëhen në Ligjin e ri për PSP-në, sepse kjo jep përshtypje se roli i saj mund të minohet, prokurorja duhet të luajë rol kyç për të sjellë drejtësi për krimet nga e kaluara, të mos harrojmë se slogani i atyre të cilët zhvilluan fushata për ndryshime ishte se nuk ka paqe pa drejtësi”,- përkujtoi ish-ambasadori i BE-së në vendin tonë.

Ndërkohë, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl, në një intervistë për MIA ka deklaruar se PSP-së duhet t’i jepet hapësirë që ta bëjë punën e saj dhe të gjithë të interesohen që të ketë kushte normale për të.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 11, 2019 19:11