Fatkeqësia ajrore, Ilievski: Bëjmë hetim me fakte, jo supozime
Kryetari i Komitetit për hetimin të fatkeqësive ajrore dhe incidenteve serioze, Zoran Ilievski, njofton se piloti i aeroplanit që u rrëzua në “Majën e Selanikut” ka kërkuar leje për aterim në Aeroportin e Shkupit, por menjëherë ka anuluar dhe ka vazhduar për Sofje. Ai demantoi zërat se piloti nuk i është lejuar aterimin në aeroportin e Shkupit, duke rikujtuar se nuk ka asnjë rast në histori që dikush të ketë kërkuar aterim kur aeroplani është gjetur në rrezik, e të mos i është lejuar ta bëjë një gjë të tillë. Rasti po hetohet hollësisht.
“Drejtori i kontrollit të fluturimit, Nikollçe Tasevski, dje demantoi thëniet se nuk i është lejuar aterim sepse në vend ka qëndruar kryeministri grek, aeroplani i të cilit është dashur të niset në fluturim. Veç më kemi dhënë kërkesë deri tek navigacioni i Maqedonisë, Sektori për navigacion të fluturimit. Ne do të kemi anëtarët tanë në Komisionin për dëgjimin e audio-incizimeve dhe transkriptave dhe atëherë do të jemi plotësisht të sigurtë”,- deklaroi kryetari i Komitetit për hetimin e fatkeqësive ajrore dhe incidenteve serioze, Zoran Ilievski.
Sipas Iliovskit, është mosmirënjohëse të flasësh për shkaqet e fatkeqësisë pa i shqyrtuar të gjitha faktet. Raporti i detajuar pritet pas 30 ditëve.
“Nëse ka qenë koha e keqe apo çfarë, atëherë do të shohim gjithçka dhe do të jetë në raportin tonë ky informacion dhe sa këto kushte kanë ndikuar që të shkaktohet kjo fatkeqësi”,- tha kryetari i Komitetit për hetimin e fatkeqësive ajrore dhe incidenteve serioze, Zoran Ilievski.
Tashmë ka një vendim për një komision ekspertësh ku do të përfshihen edhe ekspertë të huaj për të zbardhur rastin. Ilievski sqaroi se për këtë lloj të aeroplanëve, pilotët vet vendosin nëse do të fluturojnë apo jo, sikurse vet vendosin për planin e fluturimit. Për tërheqjen e mbetjeve të aeroplanit do të pritet që të përmirësohen kushtet kohore.