Festa dhe pushime ideale

Festa dhe pushime ideale

Puna, familja, jeta duket se na merr shumë energji përgjatë gjithë vitit, dhe ky fakt evidentohet dukshëm tek kategori të caktuara individësh. Andaj, festat vijnë si një bekim për të gjithë ne, duke na çliruar nga ngarkesat dhe rutina e përditshmërisë.

Të marrësh pushimet nuk do të thotë thjesht të nisesh për diku, në një destinacion larg shtëpisë, të zhvendosesh thjesht me dëshirën për t’ju larguar përditshmërisë, duke i dhënë vetes impulsin se je duke bërë diçka ndryshe nga rutina.

Shumë njerëz duan t’i përkushtohen sa më shumë vetes. Është koha kur zgjedhim të bëjmë atë që dëshirojmë pa u ndikuar nga propozimet e të tjerëve, se ku të shkojmë, çfarë plani ditor të realizojmë. Jemi të lirë për gjithçka.

Shpesh, një organizim i tillë i ditëve të pushimit na qartëson imazhin tonë për veten. Një eksperiencë e tillë na bën më të sigurt dhe me një vetëvlerësim më të lartë. Bëhemi më të përgjegjshëm ndaj preferencave dhe interesave tona.

Kemi kohën e mjaftueshme për të gjykuar mbi jetën dhe rolin tonë në të gjitha aspekt qoftë si njeri, partner, nënë, baba, koleg ose mik. Një lloj bilanci mbi marrëdhënien tonë me të tjerët. Ndodh pikërisht atëherë, kur jemi vetëm, duke menduar e gjykuar mbi sjelljet tona.

Të jetosh disa ditë pushime pa praninë e të tjerëve është një udhëtim i sigurt drejt njohjes më të sinqertë të vetes. Dhe fundi i vitit, është sipari i të tilla rrugëtimeve që kanë vetëm një qëllim: relaksin e plotë të çdo shqise tënden, larg shqetësimeve dhe problematikave që mund të të kenë gricur njëfarësoj mendjen përgjatë harkut kohor të një viti të plotë.

Festat e “Krishtlindjeve” apo “Vitit të Ri”, kanë në vetvete magjinë e plotë për t’i shijuar sipas dëshirës individuale, ose në grup, me partnerin, por pse jo edhe me familjen. Është koha për më shumë kujdes ndaj vetes dhe njerëzve tanë më të shtrenjtë.

Është bukur të mendosh se sa shumë çifte të dashuruara zgjedhin të jenë vetëm me njëri-tjetrin gjatë pushimeve. Gjatë këtyre ditëve partnerët kanë kohën e bollshme për t’iu përkushtuar marrëdhënies.

Jeta e përditshme zbeh emocionet tona, na largon fizikisht e në shumë raste grindjet janë pjesë të pandara të ekzistencës së përditshmërisë sonë. Pikërisht ato pak ditë të lira gjatë vitit, janë në shërbim të çiftit. Momenti ideal për të rizgjuar pasionin dhe dëshirën për njëri-tjetrin.

Koha e pushimeve na bën më të ëmbël, më të qetë e më romantik. Truri ynë është më i lirë dhe i çlodhur. Fillojmë të jemi dëgjues të mirë e komunikimi bëhet pjesë e atyre ditëve pushimi.

Sa herë partnerët ankohen për kohën e pakët që kalojnë së bashku e duket sikur nuk janë pjesë e shqetësimeve të përditshme të njëri tjetrit. Mund ta konsiderojmë periudhën e pushimeve si një terapi të domosdoshme për marrëdhëniet dashurisë.

Jemi komunikues e zbulues të partnerit. Fundjavat e organizuara së bashku janë gjithashtu të shëndetshme dhe një mënyrë për të qenë sa më pranë dialogut, çlodhjes duke e nxitur gjithnjë e më shumë ndjenjën e dashurisë.

Në këtë kontekst arrijmë në përfundimin se, varësisht nga mënyra se si zgjedhim të shkojmë me pushime, vetëm, me familjen, partnerin ose në shoqëri të mirë të një grupi miqsh, mund të zbulojmë tipare të vetes dhe të qartësohemi mbi imazhin tonë përballë të tjerëve.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Dhjetor 24, 2018 09:45

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA

PARTNER