FFM siguroi 3 automjete për Klinikën “Shën Naumi”

FFM siguroi 3 automjete për Klinikën “Shën Naumi”

Federata e Futbollit të Maqedonisë siguroi tre automjete të reja ambulance, të cilat do t’ia dorëzojë në pronësi të përhershme Klinikës për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” (Spitali i vjetër i Qytetit) në Shkup. Presidenti i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, drejtori i Klinikës për sëmundje kirurgjike, dr. Luben Arsenkov dhe drejtori për ekonomi i Klinikës, Nermin Shaqiri në “Shtëpinë e futbollit” firmosën marrëveshjen për dorëzimin e tre automjeteve për ambulancë të kompletuara tërësisht me gjithë nevojat e një ambulance lëvizëse, të tipit CITROEN JUMPER të cilat i siguron FFM për Klinikën për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”.

“Kjo kohë gjithë neve na kujton se sa të rëndësishme janë jeta dhe shëndeti i njerëzve. Obligimi ynë si institucion me përgjegjësi sociale është që të ndihmojmë me shpresë se do të kontribuojmë në zbutjen e pasojave nga kjo situatë. Në këtë periudhë, FFM, por edhe të gjitha institucionet tjera patjetër të tregojmë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet. Futbolli është forcë e fuqishme në çdo shoqëri dhe thjesht, patjetër të tregojmë pasqyrën tonë më të mirë për tolerancë dhe solidaritet. Përgjegjësia jonë shoqërore deri tani shumë herë është dëshmuar dhe bëjmë thirrje gjithë institucioneve tjera dhe kompanive, secili në kuadër të mundësive të veta të ndihmojnë aty ku vlerësojnë se ka nevojë. Gjithashtu, bëjmë thirrje në çdo moment të ndiqen rekomandimet dhe të mbështesim institucionet e shëndetësisë në luftën kundër koronavirusit. Qëndroni të fortë, bashkë do ta fitojmë edhe këtë ndeshje”, shprehet presidenti i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 24 Mars, 2020 20:24

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.