Filipçe: Epidemia është nën kontroll

Filipçe: Epidemia është nën kontroll

Rastet e reja të të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut po rriten ndjeshëm, duke na përkujtuar se ndoshta jemi ende në ditët e para të pandemisë. Autoritetet mbajnë qëndrim se nuk kanë gabuar gjatë menaxhimit të kësaj pandemie, por askush nuk jep përgjigje konkrete se përse po rritet numri i të infektuarve. Për këtë qëllim, në konferencën për shtyp të Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, e pyetëm këtë të fundit se ku mund të kenë gabuar në hapat e ndërmarra. Kjo duke marrë parasysh edhe shkallën e vdekshmërisë, që është ndër më të lartat në rajon. Madje, ka vende në rajon që janë në situatë shumë të favorshme dhe shembull për menaxhim të pandemisë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe vazhdon të ngulë këmbë se epidemia është nën kontroll edhe përkundër rritjes së ndjeshme të numrit të të infektuarve në ditët e fundit. Sipas tij, pandemia po menaxhohet në mënyrë profesionale, ndërsa nuk u përgjgij konkretisht se a mban përgjegjësi për rritjen e shifrave në ditët e fundit, përcjell in7.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, të gjitha proceset, të gjitha analizat janë bërë në bazë të numrave që kemi në dispozicion, dhe ato ishin numrat e saktë, pasi analizat burojnë nga vetë qendrat e shëndetit publik. Nuk mund të pajtohem që epidemia është jashtë kontrollit, dhe ne kemi thënë disa herë argumentet dhe kriteret praktike, që pacientët dhe kontaktet e tyre janë identifikuar me saktësi, ne kemi informacione se si kanë lëvizur dhe me kë kanë kontaktuan, kjo na jep të drejtën të themi se e dimë saktësisht dhe në çfarë mase i bëjmë anketimet, dhe çfarë indicojmë që të bëhen testimet dhe vlerësimet për valën e fundit. Kështu që unë mendoj se e gjithë puna ishte dhe ende është shumë profesionale, kjo duke u bazuar në një përvojë të madhe të një sistemi të shkëlqyer bashkëpunimi të profesionistëve të shëndetit, dhe një përgjigje të shkëlqyer të gjithë sistemit shëndetësor”, theksoi, Venko Filipçe.

Sipas ministrit Filipçe, informatat se vdekshmëria nga virusi korona në vend është më e madhe nga gjithë vendet e rajonit, nuk janë të sakta. Kjo sipas tij vërtetohet edhe nga analizat e bëra. Në përcaktimin e kësaj shkalle sipas Filipçes, ka ndikuar edhe praktika e bërë në maqedoni, të testimit të personave postmortum dhe evidentimi i tyre në listën e viktimave nga Covid-19. Kjo gjë nuk bëhet në disa vende tjera.

“Vdekshmëria nuk është më e larta në rajon, këtë e konfirmon edhe analiza, ka disa vende që gjithashtu kanë vdekshmëri më të lartë se e jona, ne kemi një mënyrë identike për testimin e njerëzve postmortum, kjo me qëllim që të njohin fotografinë epidemiologjike dhe të mbrojnë njerëzit që kanë qenë përreth tyre, e këta janë mbi 20 pacientë të tillë. Kështu që unë mendoj se jemi përgjigjur mirë, jemi organizuar mirë, kemi pasur një qëndrim të mirë ndaj publikut duke e njoftuar me të gjitha detajet, argumentet, numrat në lidhje me epideminë, kështu do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”, u përgjgij për in7, Venko Filipçe.

Përndryshe, gjatë konferencës së somte për shtyp, Ministri i Shëndetësisë njoftoi se nga 868 testime të bëra në 24 orët e fundit, pa u përfshirë analizat nga një institucion privat, raste pozitive të koronavirusit janë paraqitur tek 67 pacientë. Me këto, numri i të prekurve nga ky virus arriti në 2315.

 
 
Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 2 Qershor, 2020 16:59

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

MARKETING