Filipçe: Fond për mjekim jashtë vendit ekziston, mjete ka gjithmonë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 23 Gusht, 2018 19:35

Filipçe: Fond për mjekim jashtë vendit ekziston, mjete ka gjithmonë

Askujt nuk i është mohuar e drejta që të mjekohet jashtë vendit nëse është dërguar në mënyrë përkatëse, pavarësisht se a ka fond të veçantë ose të ashtuquajtur fond special. Mjete financiare ka gjithnjë dhe do të sigurohen në çdo situatë kur pacientët do të dërgohen në mënyrë përkatëse nga klinikat të cilat kishin thënë se te ato nuk mund të mjekohen, tha sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas pres-konferencës në Qeveri për rritje të pagave në shëndetësi, Filipçe theksoi se Ministria nuk ka kurrfarë roli në dërgimin e pacientëve jashtë vendit. Siç sqaroi, atëherë kur konsiliumet profesionale tregojnë se kanë shteruar resurset dhe mundësitë për mjekim këtu, pacientët dërgohen jashtë vendit për çka ka procedurë adekuate në Fond.

“Fond për mjekim jashtë vendit ka. Fond dhe mjete gjithmonë ka. Mund të formohen edhe të tjera, fonde të ndryshme, por mjetet do të jenë të njëjtat, ato nga ky fond. Nuk do të bëhet kurrfarë dallimi në faktin se secili që do të kërkojë mjekim jashtë vendit, edhe do ta fitojë atë”, nënvizoi ministri.

Ai shprehu keqardhje për rastin e djeshëm të vdekjes së vajzës Eva Kërstanovska. Njëkohësisht, theksoi se të gjitha procedurat dhe afatet për urgjencë ishin ruajtur. Mendim i konsoliduar ishte dhënë në afat prej 48 orëve.

“Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Kam pasur mjek, kam humbur pacientë, kjo tejkalohet shumë rëndë. Biseduam me drejtorin e Fondit, e ndoqa pres-konferencën e tij përmes internetit. Të gjitha procedurat janë ruajtur, siç sqaroi ai. Janë ruajtur edhe afatet për urgjencë. Afati në të cilin jepet mendimi i konsiliumit kur ka nevojë për urgjencë është 48 orë dhe në këtë rast me vajzën ishte ruajtur. Vajza e ka marrë këtë mendim të konsiliumit në afat prej 48 orëve”, potencon Filipçe.

Sipas tij, Ministria është e përqendruar në përforcimin e kapacitetit të shëndetësisë publike që të zvogëlohet numri i pacientëve të cilët dërgohen jashtë vendit. Bëhet fjalë për edukim shtesë të mjekëve me ndihmën e mjekëve nga jashtë, por edhe dërgimin e tyre jashtë vendit.

Në lidhje me fondin shtesë për sigurimin e mjeteve për ilaçe për sëmundje të rralla për të cilat është biseduar me udhëheqësinë e Odës Ekonomike, ministri informon se po punohet në këtë. Janë bërë, tha, analizat, ndërsa ekipi i juristëve punojnë në atë se si do të jetë ky trup, në ingerenca të kujt, kush të të marrë pjesë në të, kush do ta udhëheqë dhe me çfarë vlerë të mjeteve.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 23 Gusht, 2018 19:35