Fillimi i ri, shpresë për kompromis

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 19:52

Fillimi i ri, shpresë për kompromis

Ish diplomatët shohin rritje të shpresës për një kompromis të mundshëm midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në kontestin që ka bllokuar tanimë dy vjet fillimin e bisedimeve të pranimit të Shkupit në BE.

Rreth 200 kilometra i ndajnë kryeqytetet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por duhen pothuajse katër orë rrugë dhe shumë durim për të shkuar nga Shkupi në Sofje, ose anasjelltas. Të mbërthyer në një mosmarrëveshje mbi historinë dhe identitetin për gati gjashtë dekada, politikanët në të dy anët e kufirit nuk i kanë konsideruar kurrë alternativat e transportit. Nuk ka asnjë linjë hekurudhore apo ajrore mes dy vendeve që do t’i lidhte ato dhe do të mundësonte komunikim më të lehtë dhe më të madh. Por pas vizitës në Shkup të martën, kryeministri bullgar Kiril Petkov premtoi se ajo që nuk ishte bërë në 60 vitet e fundit do të ndodhte në 60 ditët e ardhshme. Në dy muaj, një linjë ajrore komerciale duhet të lidhë dy kryeqytetet. Qytetarëve të të dy vendeve ndoshta do të duhet të presin deri në fund të kësaj dekade për të parë përfundimisht përfundimin e hekurudhës, por kryeministri i ri maqedonas Dimitar Kovaçevski mund të shpresojë se vendi i tij nuk do të duhet të presë kaq gjatë për fillimin e dëshiruar të negociatave aderuese me Bashkimin Evropian.

Pas një përqafimi të ngrohtë para ndërtesës së qeverisë në Shkup dhe një ditë të gjatë të mbushur me takime dhe biseda politike, Kovaçevski dhe Petkov shprehën shpresën se do të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet tradicionalisht të acaruara. “Jam shumë optimist për dinamikën e re dhe ju siguroj se rezultatet do të jenë të dukshme çdo javë”, tha Petkov nga Shkupi. Hapin e parë drejt kapitullit të ri të dëshiruar në marrëdhëniet e bëri Shkupi, duke dërguar një notë në Kombet e Bashkuara, në të cilën, de fakto, informon të gjitha vendet në botë se emri Maqedonia e Veriut nuk pasqyron pretendimet territoriale ndaj fqinjit lindor, kërkesë e Sofjes në suaza të planit “5 + 1”.

Ish diplomati Muhamed Halili thotë se kryeministri i ri bullgar po dëshmon përkushtim të zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. “Konsiderojë se janë momente të shpresës sepse pas një periudhe të acarimit të madh midis dy vendeve, në aspektin verbal posaçërisht, edhe një periudhë e relaksimit verbal së paku, dhe një mënyrë tjetër e qasjes së zgjidhjes së problemeve. Kjo mënyrë është një kopje e marrëveshjes francezo-gjermane e vitit 63, ku dy shtetet janë marrë vesh që brenda vitit të ketë dy herë vizita të kryetarëve të shteteve herë në njërin vend herë në tjetrin, vizitat e ministrave të jashtëm, komisione të bashkëpunimit ekonomik, arsimorë, atje edhe gjuhësorë. Këtu nuk ka gjuhësorë sepse kanë kontest gjuhësorë mes vete, por ajo që është lëshuar në ndërtimin e infrastrukturës ekonomike, bashkëpunimit social, kulturorë, etj, nuk mundet brenda 5-6 muajve të kapërcehen dhe të rikthehet në favor, por është mirë sepse ka nisur të ecë rrugës së zgjidhjes së problemeve, dhe konsiderojë se diku ka fundi i vitit, me presidencën suedeze, por edhe me bashkëpunimin e fortë me Francën, mund të ndodh që të ketë një takim bilateral midis qeverisë së Maqedonisë dhe BE-së dhe qeverisë së Shqipërisë dhe BE-së”, ka deklaruar për KOHA, Muhamed Halili, ish diplomat. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 19:52