Fillojnë provat klinike për trajtimin e Covid-19 me hidroksiklorokuinë

Fillojnë provat klinike për trajtimin e Covid-19 me hidroksiklorokuinë

Punonjësit e kujdesit shëndetësor në spitalet britanike do të jenë pjesëmarrësit e parë në një studim global të testimit të ilaçeve kundër malarias, klorokuinës dhe hidroksiklorokuinës për të parë nëse ato mund të përdoren për trajtimin ose parandalimin e Covid-19.

Studimi i udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit, duke filluar nga e enjtja, do të testojë mbi 40,000 punonjës të kujdesit shëndetësorë në Evropë, Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut, duke bërë testime në 25 qendra vetëm në Britani, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor që nuk janë infektuar me Covid-19 i plotësojnë kushtet për të marrë pjesë në studimin “COPCOV”.

Punonjësve të kujdesit shëndetësor në Britani do t’u jepet hidroksiklorokuinë ose një placebo për tre muaj, ndërsa atyre në Azi, do t’u jepet klorokuinë ose një placebo.

Interesimi për ilaçin u intensifikua pasi Presidenti Donald Trump filloi të fliste për dobinë e tij në konferencat për shtyp në prill. Në fillim të kësaj jave Presidenti Trump njoftoi se po merrte hidroksiklorokuinë si ilaç parandalues kundër Covid-19.

Megjithëse Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve ka miratuar përdorimin e kufizuar të ilaçit nëpër spitale për të trajtuar pacientët me Covid-19, ajo nuk e ka miratuar përdorimin e tij jo klinik “për shkak të rrezikut të problemeve të ritmit të rrahjeve të zemrës”, thuhet në një deklaratë të organizatës.

Ndërsa provat laboratorike kanë dhënë shpresë për ilaçin, rezultatet janë jokonkluzive, duke shkaktuar krijimin e një studimi ndërkombëtar, të bazuar në një ilaç të vërtetë dhe një placebo (ilaç pa efekt).

“Ne me të vërtetë nuk e dimë nëse klorokuina ose hidroksiklorokuina është e dobishme apo e dëmshme në trajtimin e Covid-19”, tha Nicholas White, profesor i Universitetit të Oksfordit dhe bashkë-drejtues i studimit.

Interesi për një trajtim parandalues po rritet ndërsa përpjekja për prodhimin e një vaksine vazhdon.

Martin Llewelyn është profesor në Shkollën e Mjekësisë Brighton dhe Sussex dhe po udhëheq studimin me zotin White.

“Një vaksinë e disponueshme, e sigurt dhe e efektshme mund të jetë shumë largë”, tha profesor Llewelyn. “Nëse ilaçet e toleruara mirë si klorokuina dhe hidroksiklorokuina mund të zvogëlojnë shanset për tu prekur me Covid-19, kjo do të ishte tepër e vlefshme”, shtoi ai.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 21 Maj, 2020 20:57

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.