Filluan kalkulimet politike për shumicë të re parlamentare

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Nëntor, 2021 20:14

Filluan kalkulimet politike për shumicë të re parlamentare

Pas rezultatit zgjedhor, partitë kanë filluar kalkulimet politike për koalicione. VMRO-DPMNE-ja është e vendosur se nuk ka koalicion me BDI-në. Nga ana tjetër, LSDM-ja paralajmëron zgjerim të shumicës parlamentare, por pa dhënë hollësi për numrat që do t’i shtohen shumicës. Edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kalkulojnë në shumicë të re e cila sipas tyre do të bëhet realitet pas certifikimit të rezultateve. BDI është e bindur se shumicë të re nuk ka, duke shtuar se nuk mund të ketë as Qeveri të re pa BDI-në brenda saj. Këto qëndrime partitë i shprehën përmes përfaqësuesve të tyre në kuadër të debatit zgjedhor në Alsat. Pas rezultateve të para, duke pranuar përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi dorëheqje nga pozita e kreut të ekzekutivit dhe liderit të LSDM-së. Megjithatë Zaev tha se shumica është stabile dhe me pretendime për tu zgjeruar.

E marr përgjegjësinë mbi vete për këtë rezultat. Jap dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe pozita e kryetarit të LSDM-së. Mbetem në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kemi edhe dy vite e gjysmë mandat për rritje ekonomike dhe zhvillim kualitativ nga i cili do të kenë dobi qytetarët dhe shteti. Mbetem aktiv për të kontribuar në riorganizimin e Qeverisë së re me shumicë progresive të cilën e kemi e që mund edhe të rritet – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Ndërkohë kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski tha se qytetarët delegjetimuan Qeverinë. Mickoski vlerëson se zgjidhja më e mirë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga sonte Qeveria është delegjitimuar. Ky është realiteti i ri i cili pres që të reflektojë edhe në Kuvend. Por më së miri do të ishte që kjo të bëhet përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Dua të lus kundërshtarin tim politik Zoran Zaev. Të mendohet mirë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm. Ta kapërcejë veten dhe ta bëjë më të mirën për Maqedoninë. Ta merr porosinë dhe ajo është mjaftë më dhe ik – u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Dy liderët në vlerësimet e tyre akuzuan njëri-tjetrin për parregullsi zgjedhore. Zaev tha se opozita ka fituar me para të zeza dhe të ardhura nga jashtë vendi, ndërsa Mickoski deklaroi se zgjedhjet janë zhvilluar nën presion dhe kërcënime nga njerëzit e pushtetit. Nga zgjedhjet lokale të 17 dhe 31 tetorit, VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” fitoi 42 komuna, ndërsa LSDM-ja 16. Socialdemokratët humbën bastionin historik nga kandidati i pavarur Maksim Dimitrievski. Stevçe Jakimovski i OQM-së fitoi Karposhin, ndërsa PLD dhe DOM fituan Shuto Orizaren me kandidatin e tyre Kurto Dudush. Në Bervenicë fitoi kandidati i pavarur Zoran Nogaçeski./ Alsat

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Nëntor, 2021 20:14

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare