“Fishkëllimë në errësirë” – Një familje që do dhunën e përfundon me tragjedi, u jetësua mbrëmë në Teatrin e Kumanovës

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 15 Qershor, 2022 20:07

“Fishkëllimë në errësirë” – Një familje që do dhunën e përfundon me tragjedi, u jetësua mbrëmë në Teatrin e Kumanovës

E ngjitur në skenë për herë të parë në vitin 1961, vepra e Tom Murphy “Fishkëllimë në errësirë”, mbrëmë u jetësua edhe nga trupa e Dramës Shqipe në Teatrin e Kumanovës, shkruan Alsat.

Me regji të Qëndrim Rijanit, tashmë një nga emrat më të njohur të regjisorëve të gjeneratës së re në rajon, e një lojë interesante nga aktorët e Teatrit të Kumanovës, vepra që vjen si një mesazh kundër dhunës, u duartrokit gjatë nga artdashësit.

Kjo vepër paraqet një familje të apasionuar pas dhunës, dhe luftërave të fituara me grushte vetëm për një fjalë goje. Djemtë e familjes “Karni”, duan vetëm dhunë e gjak. Paratë i fitojnë në mënyrë të pistë. Derisa babai i tyre kënaqet me atë që bëjnë bijtë e tij, në përjashtim të njërit nga pesë sa ka gjithsej. Ai është ‘delja e zezë’ e familjes. Nuk çoi dorë kurrë në askënd, e kjo është arsyeja që nuk e fitoi asnjëherë respektin e vëllezërve dhe babait të tij. Në përpjekje për ta shpëtuar vëllain e tij të vogël nga babai i ‘keq’ e vëllezërit e dhunshëm, ai padashje, përmbush unin e të atit, për t’u bërë si të tjerët.

Shfaqja erdhi me lojën e aktorëve si: Shkëlqim Islami, Sefedin Shabani, Egzona Saliu, Blerim Ismani, Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi dhe Faton Ibrahimi.

Asistent i regjisë është Ibër Deari.

Një skenografi e parë rrallëherë në skenat shqipfolëse, u realizua nga Ardian Kadriu, derisa kostumet ishin nga Medina Hodza, organizator Jakup Jakupi dhe Fidan Alili, muzika Trimor Dhomi, tonist Asllan Fazliu, ndriçues Sefedin Murseli dhe në fund fotografitë dhe promo e kësaj shfaqje u realizua nga Frame In Production./ Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 15 Qershor, 2022 20:07