Flamuri me Kosovën si pjesë e Serbisë lë në plan të dytë futbollin

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Nëntor, 2022 22:46

Flamuri me Kosovën si pjesë e Serbisë lë në plan të dytë futbollin

Flamuri, në të cilin Kosova figuron si pjesë e Serbisë, në dhomën e zhveshjes së kombëtares së Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, nuk është një ngjarje e rastësishme, por ishte shumë mirë i planifikuar – thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) gazetari nga Bosnjë e Hercegovina, Dragan Bursaç.

Në rrjetet sociale është shfaqur një foto, që supozohet të jetë realizuar në dhomën e zhveshjes së futbollistëve serbë para ndeshjes kundër Brazilit, më 26 nëntor, ku shfaqet mesazhi “Nuk ka dorëzim” mbi një hartë të Serbisë, e cila përfshin edhe Kosovën.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e saj.

“Pyetja e saktë është se kush e vendosi atë flamur, nëse këtë nuk e kanë bërë lojtarët. Ndoshta ata e bënë dhe nëse e bënë, atëherë duhet të thonë. Ndoshta pyetja më e rëndësishme është se me urdhrin e kujt e vendosën atë flamur”, thotë Bursaç.

Ai, pasi komentoi këtë ngjarje në Twitter, me vlerësimin se është dhënë një mesazh nacionalist, ka marrë të shara dhe kërcënime.

Çfarë ndodhi?

Më 26 nëntor, Komisioni disiplinor i FIFA-s (Federata Ndërkombëtare e Asociacioneve të Futbollit) nisi procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) për shkak të flamurit të ekspozuar në dhomën e tyre të zhveshjes, përpara ndeshjes midis Brazilit dhe Serbisë, thuhet në njoftim.

FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që merret me sjellje të pahijshme, duke përfshirë “gjeste fyese, shenja ose gjuhë” dhe “shfrytëzimin e një ngjarjeje sportive për mesazhe të një natyre josportive”.

Në emër të zyrtarëve të Serbisë ka folur ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Ai deklaroi se Serbia, si shtet, nuk mund të reagojë ndaj faktit që FIFA ka iniciuar procedura ndaj kombëtares së Serbisë, për shkak se bëhet fjalë për organizatë sportive, por këtë veprim e ka vlerësuar si hipokrizi.

“Kjo vetëm flet për hipokrizinë. Askush nuk flet dhe askush nuk dëshiron që futbollistët të merren me politikë, por çfarë është fyese në atë që dikush thotë se nuk ka dorëzim”, tha Daçiq më 27 nëntor për TV Prva.

Ai tha se Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i Kombeve të Bashkuara, me Kosovën si pjesë të Serbisë.

“Çfarë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe çfarë është fyese? Ky është tregues se sa nuk ka parime, por ka standarde të dyfishta. Kurrë nuk do ta ndëshkonin Ukrainën nëse do të thoshte ‘Donbasi është i yni’ dhe ‘Krimea është e jona’. Ku është dallimi?”, tha Daçiq.

Federata e Futbollit të Serbisë, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për flamurin në dhomat e zhveshjes dhe as për paralajmërimin e procedurës lidhur me këtë çështje nga ana e FIFA-s.

Kjo federatë nuk iu përgjigj pyetjeve së REL-it për këtë çështje.

Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet e gazetarëve të huaj në konferencat për shtyp në Katar, të cilat janë mbajtur nga lojtarët individualë dhe trajneri i përfaqësueses së Serbisë.

Kështu, në konferencën e mbajtur më 26 nëntor, kur lojtarët e pranishëm u pyetën se pse vendosën të varnin flamurin, në të cilin ishte shfaqur Kosova si pjesë e Serbisë, përfaqësuesi i Federatës së Futbollit të Serbisë nuk lejoi përgjigje, duke thënë se tema ishte ekskluzivisht ndeshja pasuese me përfaqësuesen e Kamerunit.

Edhe trajneri serb, Dragan Stojkoviq Piksi, në konferencën për shtyp të nesërmen, nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjes për hetimin e nisur nga FIFA.

Mirko Poledica, kryetar i Sindikatës së futbollistëve profesionistë të Serbisë “Pavarësia” (“Nezavisnost”), thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo eventualisht mund të diskutohet kur të përfundojë Kampionati Botëror, por që tani theksi duhet të përqendrohet në futboll.

“Unë nuk e di se kush e ka varur atë flamur, nuk e di se a është bërë nga ndonjë prej lojtarëve, nuk e di se është bërë nga ndonjë zyrtar”, thekson ai.

Ai thotë se në vitet e kaluara, në raste të ngjashme, FIFA nuk i ka ndëshkuar skuadrat me dënime drastike.

“Përvoja na ka treguar se FIFA, në situata të tilla, nëse shqipton dënime, ato janë kryesisht të natyrës financiare”, shton ai.

Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar reagim

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mirëpritur fillimin e procedurës disiplinore të iniciuar nga FIFA.

“Mirëpresim procedurën disiplinore për foton e turpshme nga dhomat e zhveshjes me mesazhe nacionaliste dhe kërcënuese ndaj Kosovës gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Brazilit në Kampionatin Botëror”, ka shkruar FFK-ja në Twitter, më 27 nëntor.

Paraprakisht kjo federatë ka parashtruar ankesë në FIFA.

Ndërkohë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar në Facebook se në dy ditët e fundit ka marrë qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia.

Pas kërcënimeve që ka marrë, Çeku ka shkruar se demokratizimi i Serbisë dhe ndarja nga kontrolli rus janë parakushte për sigurinë dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

“Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë”, shkroi Çeku më 27 nëntor.

Një foto e flamurit me mesazhin “Nuk ka dorëzim” në gjuhën serbe u bë virale në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Çeku.

“Pamje të turpshme nga dhoma e zhveshjes e Serbisë, të cilat shfaqin mesazhe urrejtjeje, mesazhe ksenofobike dhe gjenocidale ndaj Kosovës, duke shfrytëzuar platformën e Kampionatit Botëror në futboll”, ka shkruar Çeku në Twitter, më 25 nëntor, duke e bashkangjitur foton.

Ai më pas ka shtuar se Kosova pret veprime konkrete nga FIFA, duke pasur parasysh se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është anëtare e plotë e FIFA-s dhe UEFA-s.
Kosova u bë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s në vitin 2016, tetë vjet pasi vendi shpalli pavarësinë nga Serbia, të cilën Beogradi zyrtar ende e mohon.

Mbështetje për këtë, si dhe për bllokimin e anëtarësimit ndërkombëtar të Kosovës në organizata, Serbia e ka, ndër të tjera, edhe nga Rusia.

Futbolli si dëm anësor

Marko Milosavljeviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) duke komentuar për REL-in ngjarjen me flamurin në dhomën e zhveshjes së kombëtares së Serbisë, e vlerëson si “provokim klasik nacionalist që është produkt i helmimit në nivel të përditshëm”.

Ai shton se kjo ngjarje nuk veçohej nga shembujt e tjerë të javës së kaluar. Në këtë kontekst, deklaratën e kreut të diplomacisë serbe për reagimin e FIFA-s, ai e cilëson si “cinike dhe hipokrite”.

Ai e shpjegon këtë me faktin se Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë nuk ka dhënë ndonjë deklaratë dhe as nuk ka reaguar për shallin që ka mbajtur kryeministri hungarez, Viktor Orban, kur është takuar me një nga lojtarët e përfaqësueses së Hungarisë në futboll.

“Kjo gjithashtu është edhe një lloj thirrje për pretendime të reja territoriale të Hungarisë së Madhe”, thotë Milosavljeviq.

Në një shall tifozësh me një hartën e të ashtuquajturës “Hungaria e Madhe”, të cilën e ka bartur kryeministri hungarez Viktor Orban, Vojvodina është paraqitur si pjesë e atij vendi.

Orban e ka bartur atë shall në një video të postuar më 21 nëntor, në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit me futbollistin hungarez Balazs Dzsudzsak.

“Ne mbesim të varur nga këta shembuj, se si një aleancë autokratike shkon dora-dorës me pretendimet territoriale, ndërkaq futbolli është në një farë mënyre dëm anësor”, thotë Milosavljeviq.

Përveç shallit për tifo të kryeministrit hungarez, Milosavljeviq kujton edhe provokimin e disa tifozëve kroatë më 27 nëntor, objektivi i të cilëve ishte portieri i Kanadasë dhe Yllit të Kuq (Crvena Zvezda) të Beogradit, Milan Borjan, gjatë ndeshjes ndërmjet Kroacisë dhe Kanadasë.

Në rrjetet sociale mund të shihet pankarta që mbajnë fansat me mbishkrimin: “Knin 95 – asgjë nuk shkon [ikë] si Borjani”. Në atë pankartë, gjithashtu është shkruar “John Deere”.

“Asgjë nuk shkon si John Deere” është slogani i prodhuesit të njohur të traktorëve. Ndërkaq, Borjan, në moshën tetëvjeçare, kishte qene pjesë në kolonën e traktorëve me refugjatë që largoheshin nga Knini për në Serbi, derisa po zhvillohej aksioni “Stuhia’ (Oluja) gjatë luftës në Kroaci, në vitin 1995.

Marrëdhënia që ndikon edhe në sport

Një tjetër flamur tërhoqi shumë vëmendjen e publikut, kur në tetor të vitit 2014, gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, mbi stadiumin e Partizanit në Beograd u shfaq një dron që mbante flamurin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe.

Në atë moment ndodhi një konflikt mes lojtarëve të dy skuadrave dhe më pas disa tifozë hynë në fushë dhe sulmuan futbollistët mysafirë, pas së cilës lojtarët shqiptarë dolën nga fusha dhe refuzuan të vazhdojnë lojën.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, pala serbe vazhdimisht ka penguar sportistët kosovarë që me simbolet e tyre kombëtare të marrin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në Serbi.

Në tetor të vitit 2021, Kombëtares së Kosovës të Boksit nuk iu lejua hyrja në Serbi. Kësisoj, në maj të vitit 2018, pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për të kaluar kufirin me Serbinë, përfaqësuesja e karatesë së Kosovës hoqi dorë nga pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad.

Në mars të vitit 2018, Federata Evropiane e Hendbollit pezulloi hendbollistet e Serbisë nga kualifikimi për Kampionatin Botëror, pasi Beogradi anuloi një ndeshje të planifikuar midis ekipeve të hendbollit për femra të Serbisë dhe Kosovës.

Në tetor të vitit 2019, Kosova gjithashtu ndaloi hyrjen e lojtarëve dhe drejtuesve të Yllit të Kuq (Crvena Zvezda) për të luajtur ndeshjen e çerekfinales së Kupës së Serbisë kundër KF Trepçës në Zveçan, në veri të Kosovës.

Sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Erol Salihu, tha asokohe për REL-in se të luhet një ndeshje zyrtare e klubeve serbe në territorin e Kosovës është provokim i pastër dhe shkelje e statutit të UEFA-s dhe FIFA-s.

Sportistët kosovarë u përballën me ndalime dhe probleme edhe në vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.

Autoritetet greke nuk i lejuan hyrjen në atë vend ekipit të karatesë nga Kosova, i cili udhëtoi për në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë për kadetë në qytetin Limasol të Qipros.

Federata e Futbollit e Spanjës e quajti Kosovën “territor” kur shpalli ndeshjet e para kualifikuese të Spanjës për Kupën e Botës në grup, raportoi portali France24.

Në vitin 2018, Spanja gjithashtu i ndaloi karateistët e Kosovës të garojnë në Kampionatin Botëror nën flamurin e saj kombëtar. Sportistët e Kosovës u detyruan të mbajnë inicialet e Federatës së Karatesë së Kosovës në fanella./REL

Top Channel

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 28 Nëntor, 2022 22:46

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare