Fuqia e Omegas, ja cilat janë yndyrnat e dëmshme dhe cilat të mira

Fuqia e Omegas, ja cilat janë yndyrnat e dëmshme dhe cilat të mira

Për momentin, tregjet janë plot me ushqime pa yndyrë. Gjatë të gjithë kohës jemi të bombarduar me mesazhet se yndyra na bën keq. Por, çfarë është yndyra? Përse kemi nevojë për të? A mund të jetojmë pa të? A duhet ta shmangim me çdo mënyrë? Për këto pyetje e shumë të tjera, AgroWeb.org ju jep përgjigje më poshtë:

Yndyrnat e dëmshme

Duke lënë mënjanë faktet interesante, mungesa e yndyrnave, ose më saktë acideve yndyrore mund të çojë në dëme të pariparueshme për organizmin tonë, duke shkaktuar shqetësime të mëdha në metabolizëm. Ne përballemi me yndyrnat e këqija dhe ato të mira. Disa prej yndyrnave të këqija dhe veçanërisht yndyrnat trans, ose ato të ngopura ndikojnë negativisht në organizmin tonë.

Yndyrnat e ngopura gjenden kryesisht tek produktet blegtorale, mishi dhe nënproduktet e qumështit. Mishi i viçit, i derrit, i qengjit, mishi i pulës dhe lëkura e shpendëve, qumështi me yndyrë të plotë, djathi, akullorja, vajrat tropikale dhe dhjami i derrit janë burime të këtyre yndyrnave. Yndyrnat e ngopura janë shkaktare të rritjes së nivelit të kolesterolit në gjak, që rrit gjasat e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2.

Ushqimet që përmbajnë pjesërisht vajra vegjetalë të hidrogjenizuar kanë nivel shumë të lartë të yndyrnave trans. Këto janë yndyrnat më të këqija për organizmin. Yndyrnat trans gjenden në ushqimet e skuqura, margarina, ëmbëlsirat, ushqimet e përpunuara, siç janë kokoshkat e paketuara që përgatiten në mikrovalë etj.

Ashtu si në rastin e yndyrnave të ngopura, yndyrnat trans mund të rrisin kolesterolin dhe të mbajnë nën fre nivelet e kolesterolit të mirë. Yndyrnat trans trefishojnë shanset që ju të prekeni nga sëmundjet e zemrës në krahasim me yndyrnat e ngopura.

Yndyrnat e mira
Tani i vjen rradha yndyrnave të mira. Njihen ndryshe si yndyrnat e pangopura, që janë të dobishme për ta mbajtur organizmin të shëndetshëm dhe plot energji. Ngrënia e ushqimeve të pasura me yndyrna të mira ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, përmirëson nivelet e kolesterolit në gjak, nivelet e insulinës dhe ekuilibron nivelet e sheqerit.

Këto yndyrna janë të dobishme për organizmin, por ky i fundit nuk i prodhon ato. Megjithatë, nuk është e nevojshme që të shkoni në farmacinë më të afërt për të marrë pilulat që mendoni se ju nevojiten. Keni shumë ushqime që mund t’ju japin sasinë e nevojshme të këtyre yndyrnave, mjafton që t’i bëni pjesë të dietës suaj. Yndyrnat mono-të-pangopura ose Omega 9 mund t’i gjeni tek avokadot, ullinjtë, arrorët dhe gjalpi natyral i kikirikut. Këto yndyrna i japin trupit dhe sistemit imunitar një ndihmë të madhe.

Yndyrnat polio-të-ngopura njihen ndryshe si Omega 3 dhe acidet yndyrore Omega 6
Acidet yndyrore Omega 6 gjenden tek vajrat vegjetalë që ne i konsumojmë me bollëk. Këshillohet që ushqimi juaj të jetë më e pasur me acidet Omega 3 që gjendet tek produkte si peshku, sardelet, gocat e detit, toni, trofta e liqenit, vaji i peshkut, farat e linit, arrat, algat e detit dhe suplementet e saj, lakrat e vogla, kale, spinaqi dhe majdanozi.

Acidet yndyrore Omega 3 luftojnë inflamacionin, mbajnë nën kontroll mpiksjen e gjakut, ulin tensionin e gjakut dhe trigliceridet. Konsiderohen si një kampion i vërtetë mes acideve yndyrore. Siç mund ta shikoni, kur vjen puna tek yndyrat, gjithçka vërtitet rreth konsumimit të ushqimit të duhur. Për fat të mirë, ushqimi shqiptar me bazë vaj ulliri organik, arra, peshk dhe perime të gjelbra është perfekt për të mbajtur një ekuilibër të acideve yndyrore në trup. Tani që e dini që nuk keni përse të keni frikë nga yndyra mos hezitoni të përfitoni gjithçka që mundeni nga ato më të shëndetshmet.

Linda Limani
nga Linda Limani 28 Mars, 2020 09:31

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.