Fushata zgjedhore, e mbushur me gafa dhe momente qesharake

Desk
By Desk 8 Prill, 2019 19:41

Fushata zgjedhore, e mbushur me gafa dhe momente qesharake

Vijon java e dytë e një fushate kryesisht të qetë zgjedhore por e mbushur me gafa dhe momente qesharake të bëra nga vetë kandidatët për president ose mbështesësit e tyre nga radhët e partive politike. Kandidati i shumicës Stevo Pendarovski, akoma pa filluar fushata, mori vëmendjen e opinionit dhe mediave, pasi, si i apasionuar pas veturave Jugo, kishte deklaruar se akoma posedon një të tillë. Menjëherë pas tij, në media bëri bujë aspekti sportiv i fushatës së kundërkandidates Gordana Siljanovska Davkova, i njohur si “Joga me Goga”. Siljanovska ka gabuar disa herë vendndodhjen në mitingje dhe është përballur me reagimin e publikut të pranishëm. Nuk ka shpëtuar pa u ironizuar nga mediat por as nga kundërkandidati.

 “Të nderuar kavadaras, ja erdhi… Më falni. Thellësisht u kërkoj falje sepse rrugës… Më të nderuar negotinas…”- tha Gordana Siljanovska Davkova .

“Të nderuar koçanas, e nderuar familje Jovanovski, vjerra ime është nda Kërçova, Jovanova. Oh, më falni, nga Koçani.”- tha Gordana Siljanovska Davkova .

“Kundërkandidatja ime e nderuar, ka deklaratë sot në ndonjë qytet të Maqedonisë, nuk e di se në cilin qytet …”-pohon Stevo Pendarovski.

Ngjashëm ka qenë edhe fushata e Pendarovskit. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev, i pranishëm në mitingjet e tij, ka pasur një sërë gafash dhe momentesh qesharake.

    “Oferta, për fat të keq, nga ana tjetër është përzierje boshe, nuk ka asgjë. Zero, patate, asgjë nuk ka”- tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

 “… madje edhe në pyetjen: A do ta prishni marrëveshjen me Greqinë? Mr, mr, mr, mr, mërmëritje”- vazhdon kryeministri Zaev.

“Dikush më thirrë Zajçe (lepurush). Thonë një lepurush kërcen andej këndej dhe në fund kënduan “lepur i dashur, lepur i hirtë”- tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Me më pak gafa kanë qenë tubimet e kandidatit të mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Blerim Reka, mirëpo as aktivitetet e tij nuk kanë shpëtuar pa asgjë.

“Blerim Bexheti… Vota për Blerim Rekën, më falni, është votë për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit ligjor”- tha mes tjerash  Surija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.

Fushata aktive do të zgjasë deri më 19 prill kurse më 20 prill do të jetë heshtje zgjedhore. Ekspertët e komunikimit kishin vlerësuar se kandidatët kryesisht flasin për tema që nuk janë në kompetencë të presidentit dhe se pjesën më të madhe të aktivitetit të tyre e marrin partitë politike.

Desk
By Desk 8 Prill, 2019 19:41