Gabimet në tekstet shkollore, Ademi: 22 libra të korrigjuar, vazhdojmë më tej

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 31 Gusht, 2018 19:29

Gabimet në tekstet shkollore, Ademi: 22 libra të korrigjuar, vazhdojmë më tej

22 libra të korrigjuar do t’i shpërndajë MASh-i për vitin 2018 -2019 në shkollat fillore.

Të gjitha tekstet e korrigjuara janë porositur me tirazh të plotë, kështu që çdo nxënës do të ketë libra të rinj dhe njëkohësisht të korrigjuar. Kontrolle të teksteve po bëhet edhe në librat e shkollës së mesme. Aktivitetet e ndërmarra kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë në arsim, vlerësoi ministri i arsimit, Arbër Ademi, i cili dha detaje për librat e korrigjuara.

“Matematika nga klasa e parë deri në të nëntën – 9 libra, shkencat natyrore nga klasa e parë deri në të gjashtën – 6 libra, biologjia nga klasa e parë deri në të nëntën – 3 libra, kimia nga klasa e tetë deri në të nëntën – 2 libra dhe fizika nga klasa e tetë deri në të nëntën – 2 libra… Diku nuk është formuar ende grupi i autorëve, diku është formuar dhe po punohet në hartimin e përmbajtjeve, ndërsa diku tjetër po shqyrtohet përmbajtja e dorëshkrimeve nga komisioni recenzues. Po ashtu në arsimin e mesëm do korrigjohen përmbajtjet e dy librave, biologjia për vitin e parë dhe etika për vitin e tretë… Procesi i korrigjimit do të vazhdojë edhe me librat e tjerë, duke mos anashkaluar asnjë libër në të cilin është konstatuar gabim”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Në arsimin e mesëm është në rrjedhë e sipër edhe procesi i përpilimit të 31 teksteve të reja dhe në këtë aspekt procedurat vijojnë.

“Në procedurë për botim janë edhe 20 libra të tjera, një pjesë prej tyre do të botohen për së pari herë, për pjesën tjetër duhet të formohen ekipe autorësh, sepse ka raste kur nuk është paraqitur asnjë autor. Në gjimnaze do të plotësohet tirazhi i nevojshëm, ndërsa në arsimin profesional ka libra që do të botohen për herë të parë”,- u shpreh drejtoresha e shërbimit pedagogjik, Vanja Veleva.

Risi tjetër është edhe pajisja me libra të rinj të nxënësve të klasave të para, dyta dhe treta, të cilët deri tani riciklonin tekstet e vjetra duke demotivuar nxënësit e vegjël të përkushtoheshin në mësim. Edhe shtëpitë botuese për herë të parë do të kenë të drejtë të shesin librat me çmimet që i merr edhe MASh-i, pra ata që duan t’i ndërrojnë librat falas që jepen nga shkollat, por që mund të jenë të dëmtuar, mund edhe t’i blejnë. (Tvm2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka 31 Gusht, 2018 19:29