Gallouej: I ndajmë vlerat e njëjta dhe qëndrojmë pranë njëri-tjetrit së bashku si pjesë e Aleancës më të suksesshme në histori

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 4, 2020 19:39

Gallouej: I ndajmë vlerat e njëjta dhe qëndrojmë pranë njëri-tjetrit së bashku si pjesë e Aleancës më të suksesshme në histori

Maqedonia e Veriut dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë partnerë të ngushtë në 20 vitet e fundit dhe tani jeni aleati ynë i 30-të i NATO-s. Si vende, i ndajmë të njëjtat vlera dhe qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, së bashku si pjesë e Aleancës më të suksesshme në histori, tha ambasadori britanik Rejçell Gallouej në intervistën për MIA-n.

Anëtarësimi në NATO, sipas Gallouej, është tregues se janë bërë reforma në Maqedoninë e Veriut, por thekson se ky trend pozitiv duhet të vazhdojë dhe të sigurojë përmirësimin e jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve.

Për Bregzitin dhe për atë se si do të ndikojë në marrëdhëniet me vendin tonë, ambasadori britanik theksoi se Britania e Madhe ka braktisur Bashkimin Evropian, por jo edhe Evropën, dhe se bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë të forcohet dhe rritet në të ardhmen.

– Britania e Madhe është investitori numër 1 i drejtpërdrejt i huaj në Maqedoninë e Veriut. Tregtia jonë është rritur për 40 për qind vitin e kaluar. Së shpejti do të nënshkruajmë Marrëveshjen bilaterale të partneritetit, shkëmbimit dhe bashkëpunimit, që do të ndihmojë në formimin e miqësisë tonë në të ardhmen, shprehet Gallouej në intervistën për MEDIAL-n.

Për përballjen me krizën e koronës në Britaninë e Madhe dhe pasojat në ekonomi, por edhe për atë se si ndikon kjo në bisedimet e daljes nga BE-ja dhe në skenën politike globale, mund të lexoni në vazhdimin e intervistës së plotë.

Pas më shumë se 20 viteve, ne jemi tani aleatë të NATO-s. Çfarë do të thotë kjo për të dyja vendet?

– Maqedonia e Veriut dhe Britania e Madhe janë partnerë të ngushtë në 20 vitet e fundit. Britania e Madhe është e entuziazmuar që Maqedonia e Veriut tani është aleati i 30-të i NATO-s. Si vende, i ndajmë të njëjtat vlera dhe qëndrojmë krah për krah, së bashku si pjesë e Aleancës më të suksesshme në histori. Siguria kolektive shpesh merret si punë e kryer, por është e rëndësishme për të siguruar lirinë e fjalës, demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik. Anëtarësia në vetvete është një tregues që janë bërë reforma në Maqedoninë e Veriut, një trend pozitiv që duhet të vazhdojë dhe që do të sigurojë përmirësimin e jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve.

Britania e Madhe e braktisi zyrtarisht BE-në më 31 janar të vitit 2020. Si ndikon kjo në bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut dhe çfarë mund të presim në të ardhmen?

– Bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë të forcohet dhe rritet në të ardhmen. Britania e Madhe është investitori numër 1 i drejtpërdrejt i huaj në Maqedoninë e Veriut. Tregtia jonë është rritur për 40 për qind vitin e kaluar. Së shpejti do të nënshkruajmë Marrëveshjen bilaterale të partneritetit, shkëmbimit dhe bashkëpunimit, që do të ndihmojë në formimin e miqësisë tonë në të ardhmen. Kjo jo vetëm që do të nxisë shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve tona, por gjithashtu do të sigurojë një kornizë për bashkëpunim më të madh në të ardhmen dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Britania e Madhe ka braktisur Bashkimin Evropian, por jo edhe Evropën. Do të vazhdojmë të jemi një komb global që ofron shkëmbim të lirë të mallrave dhe do të mund t’i përkufizojmë lidhjet tona bilaterale me vendet tjera. Britania e Madhe është e përkushtuar plotësisht për stabilitetin dhe sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor, dhe që nga viti 2017 katërfish e kemi rritur mbështetjen tonë përmes programeve bilaterale në rajon. Ne jemi një partner i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut dhe mbështesim fuqimisht integrimin euroatlantik të vendit. Do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të mbështetjes së vendit në ndërtimin e një shoqërie të prosperuar dhe gjithëpërfshirëse.

Periudha e tranzicionit nga braktisja e BE-së përfundon më 31 dhjetor të vitit 2020, që do të thotë fundin e anëtarësimit të Britanisë së Madhe në tregun e përbashkët të BE-së. Vazhdimi prej një ose dy viteve është i mundur. A mund ta presim diçka të këtillë për shkak të krizës së korona virusit?

– Periudha e tranzicionit përfundon më 31 dhjetor të vitit 2020. Kjo është e garantuar edhe në ligjet britanike. Britania e Madhe nuk ka plan për të kërkuar vazhdimin e periudhës së tranzicionit. Qëllimi ynë është të punojmë shpejt, jemi të përkushtuar plotësisht në bisedimet dhe po kërkojmë mënyra alternative se si t’i vazhdojmë të njëjtat.

Kryenegociatori i BE-së, Mishel Barnie ka korona virus, ndërsa homologu i tij britanik Dejvid Frost ka simptoma dhe është në vetizolim. Si ndikon kjo në bisedimet?

– Personalisht, u uroj çdo të mirë dhe shërim më të shpejtë Mishel Barniesë dhe kolegut Dejvid Frost. Këshillat tona u janë paraqitur qartë të gjithë qytetarëve se çfarë duhet të bëjnë për të parandaluar përhapjen e korona virusit. Mbetemi në kontakt të ngushtë edhe me Komisionin Evropian për të gjetur mënyra alternative për të vazhduar bisedimet, në përputhje me situatën e sapokrijuar me korona virusin dhe do të ndjekim rekomandimet e shkencëtarëve. Struktura e mëparshme për bisedime do të ndryshojë në përputhje me situatën e krijuar. Jemi duke shqyrtuar opsione të tjera fleksibile në këtë strukturë në javët e ardhshme, duke përfshirë mbajtjen e më shumë diskutimeve sesa vendosjen e një strukture të kufizuar të bisedimeve.

Përshëndetët vendosjen e spitali mobil në rrethin e Qendrës Klinike në Shkup. A konsideroni se Qeveria është duke ndërmarrë hapat përkatës për t’u përballur me pandeminë?

– Ne i përshëndesim masat e ndërmarra nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e korona virusit në Maqedoninë e Veriut. Spitali mobil i vendosur brenda Qendrës Klinike në Shkup ishte rezultat i bashkëpunimit të ndërsjellë të inxhinierëve të Armatës së Maqedonisë dhe Qytetit të Shkupit. Ky është një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit të mirë ndërmjet institucioneve në rritjen e kapaciteteve të Klinikës për sëmundje infektive. Bashkëpunimi ndërinstitucional ka rëndësi të madhe, veçanërisht në këto kohëra kritike. Puna e përbashkët në ndërtimin e kapaciteteve për pacientët e infektuar me virusin korona është e rëndësishme për mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor të Maqedonisë.

Si përballet Britania e Madhe me korona virusin dhe cilat masa janë ndërmarrë deri më tani. A mund të bëni krahasim me atë që po ndërmerret në Maqedoninë e Veriut në drejtim të shkëmbimit të përvojave të mira?

– Mbretëria e Bashkuar është një lider botëror në përgatitjen dhe trajtimin e sëmundjeve infektive, si dhe në kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave. Qasja jonë gjithmonë do të kryesohet nga ekspertë mjekësorë. Britania është duke forcuar gatishmërinë e vendeve të rrezikuara duke gjetur zgjidhje me vaksinat, duke mbështetur ekonominë globale dhe duke lejuar qytetarët që udhëtojnë nëpër botë të kthehen në shtëpitë e tyre aty ku është e nevojshme.

Sa i përket asaj që ka bërë Britania e Madhe në vend, ne kemi një plan veprimi të kryesuar nga shkenca që përballet me mbajtjen e ndikimit të këtij virusi. E këshillojmë opinionin që të përshtatet me distancimin social dhe kemi paralajmërime për mbylljen e atyre shërbimeve që janë të karakterit argëtues dhe bashkëveprues, në përputhje me rekomandimet e Këshillit Shkencor për rekomandime në raste emergjente. Këtu i përfshijmë edhe ata që mund të punojnë nga shtëpia.

Mendoj se shumë mund të mësohet me shkëmbimin e përvojave. Kjo paraqet një sfidë shumë të madhe dhe bota duhet të bashkëpunojë, të shkëmbejë ide dhe praktika të mira.

Cilat janë pritjet për pasojat ekonomike nga kriza e koronës në Britaninë e Madhe dhe cilat masa janë ndërmarrë në këtë drejtim?

– Sfidat ekonomike me të cilat përballemi dhe do të përballemi në të ardhmen, padyshim që do të jenë të mëdha dhe do të nevojitet një qasje e përbashkët globale për zgjidhjen e të njëjtave.

Në Britaninë e Madhe, ne tashmë jemi duke zbatuar një plan fiskal dhe monetar që u ka lejuar kompanive të vazhdojnë punën e tyre me kredi dhe grante në dispozicion që ua ka mundësuar Qeveria. Banka e Anglisë ka dhënë mbështetje në lartësi prej 200 miliardë paundë, duke ulur normat e interesit prej 0,1%, që është më e ulëta në histori. Kemi zbatuar edhe masa për të mundësuar siguri dhe mbështetje të bizneseve dhe mbështetje të atyre që nuk do të mund të punojnë.

Në planin ndërkombëtar, mbështesim një qasje të fortë dhe të koordinuar ekonomike që është me rëndësi të madhe për menaxhimin dhe zvogëlimin e dëmeve ekonomike, si dhe për t’u siguruar se njerëzit do të kenë qasje deri te mallrat thelbësore që u nevojiten. Është thelbësore që të vazhdojmë të mbrojmë dhe promovojmë tregtinë e lirë gjatë dhe pas kësaj krize ndërkombëtare.

Kina dhe Rusia kanë dërguar ndihmë mjekësore për Italinë dhe Francën. A po ndryshon korona virusi skenën politike globale?

– Bota pas Kovid-19 do të ndryshojë në mënyra që ende nuk mund t’i imagjinojmë. Ne duhet të dallojmë se miqtë dhe aleatët tanë po na ndihmojnë, madje edhe në një kohë kur përballen me sfida të mëdha në vendet e tyre.

Më 26 Mars, Britania e Madhe paralajmëroi ndihmë të re prej 210 milionë paundë ose gjithsej 250 milionë pandë në mbështetje të Koalicionit për përgatitjen e inovacioneve epidemiologjike, me qëllim që të përshpejtohet zhvillimi i një vaksine të re për Kovidin. Britania paralajmëroi edhe 40 milionë pandë për zhvillimin e ilaçeve të reja dhe 23 milionë për hulumtim në fushën e diagnostikimit.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar 37 miliardë euro për qytetarët, rajonet dhe vendet që janë të prekura më rëndë nga korona virusi. Për Maqedoninë e Veriut, kjo do të thotë 4 milionë për nevoja emergjente dhe 50 milionë për rimëkëmbje socio-ekonomike. Maqedonia e Veriut është pjesë e iniciativës së Bashkimit Evropian që mundëson lehtësim të transportit dhe tregtisë së mallrave, nga marrëveshja e përbashkët për furnizimin e materialeve dhe sapo i është bashkuar ISA2 në mënyrë që të mundësojë ndërveprimin e administratës publike. Kjo do të bëjë një ndryshim të vërtetë në jetën e njerëzve.

SHBA-ja sapo ka aprovuar 274 milionë dollarë që të jenë në dispozicion si një këst i dytë në Fondin Ndërkombëtar për Korona virusin, nga të cilat 100 milionë dollarë do të ndahen në Evropë. Komanda amerikano-evropiane ka siguruar mbështetje ajrore për transportin e mallrave në rajon. Mbështetja e fundit e tillë ishte transportimi i respiratorëve nga Norvegjia në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

Gjithashtu, edhe NATO është këtu. Procesi i reflektimit të cilin dje e prezantoi NATO do të ndjekë ndryshimin në kontekstin gjeopolitik. Aleatët e NATO-s janë të vetëdijshëm për rreziqet që kanë të bëjnë me faktin se ka vende që, duke u shërbyer me dezinformata, dëshirojnë të shfrytëzojnë krizën për qëllimet e tyre. Aleatët po përpiqen ta luftojnë këtë me një informacione transparente dhe me kohë.

Në këtë takim të parë, të gjithë aleatët e NATO-s i dëshiruan mirëseardhje Maqedonisë së Veriut, ndërsa ministri i Jashtëm britanik u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që të bashkëpunojnë në betejën kundër virusit, dhe të përdorin ekspertizën e NATO-s në planifikimin ushtarak, rezistencën dhe luftën me dezinformatat.

Për në fund, si ndikon korona virusi në jetën tuaj të përditshme?

– Si ambasadë, ne jemi përshtatur me situatën dhe jemi duke ndërmarrë masa për mbrojtje në mënyrë që kolegët tanë të jenë të sigurt dhe të shëndetshëm. Unë gjithashtu i përshtatem punës nga shtëpia me familjen time dhe përpiqem të gjej gjëra inovative dhe kreative që i bëjmë së bashku me fëmijët e mi për të ruajtur mirëqenien tonë. Lexojmë libra, luajmë lojëra familjare dhe ndjekim mësimin virtual shkollor. Gjithashtu ndjekim edhe televizionin dhe përpiqemi të mos hamë shumë. Zhvillojmë takime në internet me kolegët dhe koordinohemi lidhur me obligimet e përditshme të punës. Për mua është e rëndësishme mirëqenia e tyre, më është e rëndësishme që të kenë kohë për një ekuilibër të shëndoshë të obligimeve të punës dhe të atyre familjare. Të gjithë duhet të gjejmë mënyra për të qëndruar të sigurt dhe të jemi të shëndoshë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 4, 2020 19:39