Gjatë festave do të ndërpritet vaksinimi i fëmijëve

Redaksia
By Redaksia 26 Prill, 2019 15:11

Gjatë festave do të ndërpritet vaksinimi i fëmijëve

Edhe vaksinimi në teren do të pushoj gjatë ditëve të festave. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup Zllate Memedoviq njoftoi se gjatë ditës për vaksinim ishin të hapura dy pikat e vaksinimit, në Çair dhe Bit Pazar që pranuan për vaksinim vetëm në ndërrimin e parë. Përveç vikendit, vaksinimi nuk do të realizohet edhe të hënën për shkak të Festës së Pashkëve. Procesi në mënyrë të rregullt do të rikthehet të enjten më 2 Maj, në të gjitha institucionet shëndetësore. Mememdoviq nënvizoi se në poliklinikat Bit Pazar, Çair, Jane Sandanski dhe Bukuresht vaksinimi do zhvillohet në dy ndërrime.

Pavarësisht ditëve jo pune, vaksinimi në teren, respektivisht në shkolla po zhvillohet me intensitet të ulët. Shumë prindër vazhdojnë të refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre madje për këtë vendim kanë dhënë edhe deklaratë me shkrim në institucionet shëndetësore përkatëse. Sipas të dhënave nga Institut i Shëndetit Publik, gjatë kësaj jave janë regjistruar 95 raste të reja të fruthit, me çka numri i përgjithshëm i të prekurve arrin në 1.175. Shumë prej tyre janë nga Shkupi e që nuk ishin të vaksinuar. Sipas epidemiologëve, vazhdon akoma të ketë rrezik për përhapje të fruthit për shkak se 14 mijë fëmijë deri në moshën 5 vjeçare akoma nuk kanë pranuar vaksinën MRP.

Aktualisht, në Klinikën Infektive në Shkup ka gjithsej 36 pacientë të hospitalizuar, prej të cilëve 19 janë të rritur dhe 17 janë fëmijë.

Redaksia
By Redaksia 26 Prill, 2019 15:11