Gjermani, çifti vrasës torturon për vdekje dy gra

Gjermani, çifti vrasës torturon për vdekje dy gra

Policia gjermane ka nisur hetimin e vdekjes së dy grave, që sipas tyre dyshohen të jenë viktima të një çifti, që i kishte marrë peng ato dhe i kishte torturuar. Ngjarja ka ndodhur pas publikimeve “online” për lidhje nga një burrë dhe ish-gruaja e tij, duke joshur në këtë mënyrë gratë të shkonin në shtëpinë e çiftit.

Të dyshuarit, 46-vjeçari Wilfried W. dhe 47-vjeçarja Angelika B., u arrestuan të mërkurën e kaluar dhe akuzohen për vrasje me paramendim. Megjithatë, burri mohon të ketë kryer vepër penale, por ish-bashkëshortja e tij raportohet të jetë rrëfyer për drejtësinë.

Hetuesit gjermanë besojnë se mund të ketë edhe viktima të tjerë, ndaj dhe kanë nisur kërkimet në shtëpinë e çiftit në Hoexter, në Veriperëndim të Gjermanisë. Policia ka qenë prej javësh në hetim të një tjetër vdekjeje, asaj të 41-vjeçares të njohur si Susanne F., që sipas tyre mund të jetë marrë sërish peng dhe torturuar në shtëpinë e çiftit vrasës. Por ndryshe nga viktimat e para, kjo e fundit ndërroi jetë në spital muajin e kaluar, pasi çifti besohet të jetë përpjekur ta dërgonte atë në shtëpinë e saj për të humbur gjurmët.

Gjatë konferencës për shtyp të së martës, policia tha se – sipas tyre, – çifti në fjalë ka vrarë dhe gjymtuar një tjetër grua të re në moshë, përpara se të shkrumbonin trupin e pajetë në oxhakun e shtëpisë së tyre.

Annika W., 33-vjeçare nga Saksonia e Poshtme, ndërroi jetë në gusht të vitit 2014. Ashtu si Suzanne F., ajo besohet t’i jetë përgjigjur një kërkese “online” për lidhje në fund të vitit 2013.

“Viktima ka vuajtur vazhdimisht nga një torturë tepër serioze fizike, teksa dyshohet të jetë goditur në të gjithë trupin e saj, të jetë lidhur me zinxhirë, të jetë skllavëruar dhe të jetë rrahur keqazi”, tha kryeprokurori Ralf Meyer gjatë konferencës për shtyp. “Shpesh viktima është dashur të flejë e zhveshur në dhoma shumë të ftohta, e për pasojë gjendja e saj fizike është përkeqësuar vazhdimisht”.

Policia beson se motivet e vrasjeve të jenë më shumë të lidhura me tregimin e forcës, sesa me natyrë seksuale.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Maj 3, 2016 21:44

REKLAMA