E ngarkuara pranë Ministrisë së Jashtme Federale për Evropën Juglindore, Turqinë, OSBE-në dhe Këshillin e Evropës, Susanne Schütz, deklaroi sot se integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE ka rëndësi të madhe për Gjermaninë.
Me rastin e bisedimeve të sotme në kuadër të konsultimeve të përvitshme qeveritare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, e ngarkuara për rajonin, Susanne Schütz shprehu kënaqësinë, që pas periudhës si ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri, të ndodhet sërish në Tiranë. Ajo njoftoi se dje dhe sot ka zhvilluar biseda të mira me kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka, me përfaqësues të Partisë Demokratike etj.
“Në këtë kontekst mesazhi ynë vazhdon të jetë i qartë: Integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian ka rëndësi të madhe për Gjermaninë. Këtë e theksoi edhe njëherë me vizitën e saj në shtator Kancelarja Federale Merkel dhe kjo nuk do të ndryshojë as me Qeverinë e re Federale. Kushtet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në Shqipëria i ka përmbushur. Ndaj Qeveria Federale angazhohet me forcë brenda BE-së që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë e Veriut të nisin sa më shpejt të jetë e mundur. Po kështu Qeveria Federale mbështet intensifikimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, në mënyrë të veçantë jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili synon realizimin e transportit të lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Schütz.
Po ashtu, Schütz ka përshëndetur kthimin e opozitës në Parlament për vijimin e reformave.
“Përshëndes kthimin e deputetëve të partive opozitare në parlament. Për vijimin e reformës në drejtësi, për përshtatjen e kodit zgjedhor, por edhe për një sërë projektesh të tjera do të jetë i nevojshëm bashkëpunimi konstruktiv i qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që të ecet më tej në rrugën drejt Evropës. Po kështu duhet të vijojnë më tej edhe reforma në administratë, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ngritja e strukturave efikase të koordinimit me BE-në është e rëndësishme jo vetëm në kontekstin e bisedimeve të anëtarësimit, por edhe tani, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit si dhe shfrytëzimin efektiv të instrumenteve të shumtë që vihen në dispozicion prej BE-së dhe shteteve të saj anëtare”, tha Schütz.
Gjithashtu, Schütz shprehet se “Gjermania do të vazhdojë të mbështesë dhe plotësojë më tej me projekte dypalëshe punën e Bashkimit Evropian si një partner strategjik, i besueshëm dhe solidar i Shqipërisë. Kam ndërmend këtu në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e ngushtë të dy vendeve tona në mbrojtje të klimës dhe mejdisit, në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, në zbatimin e reformës në drejtësi, në fushat e kulturës dhe arsimit, por edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.”
Susanne Schütz është e ngarkuar pranë Ministrisë së Jashtme Federale për Evropën Juglindore, Turqinë, OSBE-në dhe Këshillin e Evropës. Në periudhën 2016 – 2019 ajo ka shërbyer si ambasadore e Gjermanisë në Tiranë. /atsh