Gjuha e urrejtjes në para-fushatë, Idrizi: Fajtorë, partitë dhe mediat që e përhapin

Desk
By Desk March 5, 2020 19:16

Gjuha e urrejtjes në para-fushatë, Idrizi: Fajtorë, partitë dhe mediat që e përhapin

Patriotë dhe tradhtar. Kriminelë, bashkëpunëtorë e “sojuzë” janë disa nga kualifikimet në diskursin politik në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Gjuha e urrejtjes në bazë të përkatësisë politike, ndëretnike, por edhe brenda-etnike ka karakterizuar fushatat parazgjedhore dekada me radhë. Aktorët politikë dhe ithtarët e tyre, në përpjekjet për të përfituar vota, përdorin gjuhën e urrejtjes, edhe pse ajo është e dënueshme dhe sanksionohet me ligj. Megjithatë, për shkak të mosdënimit, ajo vazhdon të përhapet.

“Fatkeqësisht ajo që po vërehet nëpër Shkup, me sa pashë ditët e kaluara, kemi fshirje dhe thyerje të bilbordeve, mbishkrime dhe fjalë ofenduese. Fatmirësisht gjuha e urrejtjes nuk vërehet tek partitë shqiptare për arsye se këto i kemi kaluar, siç duket, pak më herët. Të mos them se partitë maqedonase i ka kap puberteti i vonshëm dhe tek ato po vërehet në mënyrë të theksuar, pothuajse në çdo kampanjë zgjedhore. Fatkeqësisht edhe sivjet kjo po duket.”,- tha profesori universitar, Dashmir Idrizi.

Pavarësisht gjuhës së urrejtjes në diskursit politik, media nuk duhet që t’i jep jehonë kësaj gjuhe. Idrizi thotë se mediat, posaçërisht ato më serioze kanë përgjegjësi që të krijojnë zero hapësirë për gjuhën e urrejtjes madje ta dënojnë atë.

“Gjuha e urrejtjes nëse vërehet, kushtimisht thënë nëpër bilborde, që s’duhet të jetë prezente, këtë duhet ta luftojnë gazetarët. Nuk guxon një medium prestigjioz, një medium i mirëfilltë, një medium satelitor, të publikojë lajme të tilla apo informacione të tilla, për arsye se e nxit edhe më tej popullatën apo simpatizantët e partive në fjalë. Sa janë fajtorë partitë politike që publikojnë mbishkrime të tilla, aq janë edhe mediat që i publikojnë ngjarjet e tilla.”,- u shpreh profesori universitar, Dashmir Idrizi.

Gjuha e urrejtjes në bllokun maqedonas ka në epiqendër ndryshimin e emrit kushtetues dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, nga njëra palë, dhe krimin dhe korrupsionin nën petkun e patriotizmit nga pala tjetër. Në bllokun shqiptar, gjuha e urrejtjes gjeti për substrat prishjen dhe krijimin e koalicioneve të reja parazgjedhore brendaetnike dhe ndëretnike.

Desk
By Desk March 5, 2020 19:16