Gjuha e urrejtjes, ShGM-KEM: Epilog gjyqësor për të gjitha rastet

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:11

Praktika e mosndëshkimit të rasteve të gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve duhet të ndërpritet, këto raste duhet të izolohen dhe të mos regjistrohen të reja, thonë nga ShGM, nga e cila shprehin brengosje për një rritje të vogël të tendencës ku gazetarët janë cak i gjuhës së urrejtjes.

Shoqatat e gazetarëve thonë se rastet e këtilla procesuohen nga organet e rendit, por përfundojnë pa epilog gjyqësor, ndaj u bëjnë thirrje institucioneve të sigurojnë mjedis më të sigurt për punën e gazetarëve.

“Shqetësues është fakti se asnjë rast me gjuhë të urrejtjes në media nuk ka marrë epilog gjyqësor, ndërsa akoma pritet për disa raste që organet të fillojnë hetimet. Apelojmë deri tek gjykatat apo Prokuroria Publike, të fillojnë t’i procesuojnë këto raste dhe kuptohet të marrin epilog përfundimtar, nuk duam vetëm procesim të rasteve sa për të na i larë sytë”,- tha kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski.

“Gjuha e urrejtjes mund të jetë e rrezikshme dhe të shkaktojë edhe dhunë, madje duke pasur parasysh dallimet etnike fetare dhe dallimet tjera, vërtet mund të jetë e rrezikshme. Andaj duhet të kemi shumë kujdes ne si gazetarë se si u drejtohemi masës e cila na ndjek, na lexon e kështu me radhë”,- tha kryetarja e Këshillit për Etikë në Media, Katerina Sinadinovska.

“Në fazën e parë, fushata jonë do të ketë si qëllim ngritjen e vetëdijes shoqërore për pasojat negative nga gjuha e urrejtjes, faza tjetër do të jetë e përqendruar në kërkimin e përgjegjësisë nga institucionet kompetente që të veprojnë kur ka shfaqje të gjuhës së urrejtjes, ndërsa nuk ndërmarrin asgjë”,- tha Lirim Dullovi nga Asociacioni për Mbrojtjen e Mediave të Shtypura Kombëtare.

Rrjeti për luftë kundër gjuhës së urrejtjes zyrtarisht u promovua nga fundi i janarit të këtij viti, përveç shoqatave esnafe profesionale, aty anëtarësohen edhe OJQ, trupa rregullatorë dhe të gjitha institucionet kompetente. (Tvm2)

Desk
By Desk 25 Prill, 2019 19:11