Gjykata Administrative: Pranohet një, refuzohen tri padi rreth zgjedhjeve

Desk
By Desk 22 Prill, 2019 19:16

Gjykata Administrative: Pranohet një, refuzohen tri padi rreth zgjedhjeve

Gjykata Administrative deri më tani ka vepruar në katër raste që kanë të bëjnë me zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme lokale në tri komuna.

Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, njoftoi se tri padi janë hedhur poshtë ndërsa është pranuar padia e Agjencisë për përkrahje të bujqësisë dhe zhvillimit rural, që ka të bëjë me pagesën e subvencioneve dhe anulimin e vendimit të Komisionit për antikorrupsion.

Nga kjo gjykatë vlerësojnë se nuk ka konflikt interesi sa i përket vendimit për pagesat ndaj vreshtarëve para zgjedhjeve. Dy padi të hedhura poshtë janë nga 1 TV kundër çmimores së KSHZ-së për reklamimin zgjedhor dhe një që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtës zgjedhore.

“Gjykata Administrative nuk ka kompetencë t’i shqyrtojë ato raste, pasi që bëhet fjalë vetëm për njoftim të KShZ-së, ndërsa për rastin e fundit të Agjencisë për mbështetje të zhvillimit rural, Gjykata Administrative, ditën e premte vendosi të anulojë aktin e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, arsyet janë të përmendura në vendim”,- tha kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini.

SEJDINI: ZGJEDHJET ISHIN TË QETA, NUK PRESIM PADI

Duke u bazuar në vlerësimet e deritanishme për rrethin e parë zgjedhor, i cili ka kaluar në atmosferë të qetë dhe demokratike, Sejdini thotë që Gjykata Administrative nuk pret padi apo ankesa rreth të këtij procesi votues.

“Herët është ende, tash duhet të shikohen rezultatet përfundimtare. Në bazë të ditës së qetë zgjedhore që kishim, besoj se në raundin e parë nuk do kemi ankesa dhe padi, por gjegjësisht Gjykata Administrative i ka ndërmarrë të gjitha hapat që të mund në kohë eventualisht t’i zgjidh problemet”,- tha kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini.

Sejdini njoftoi së në mars të këtij viti janë formuar 5 këshilla me zgjedhje të rastësishme, të cilat do të vendosin në rast se do të ketë padi të parashtruara. Gjykata Administrative ka afat për të vendosur 48 orë nga momenti i dorëzimit të padisë. (TVM2)

Desk
By Desk 22 Prill, 2019 19:16