Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-s pritet të fillojë më 1 mars 2023

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 18 Janar, 2023 22:47

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-s pritet të fillojë më 1 mars 2023

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, pritet të fillojë më 1 mars 2023.

Në konferencën përgatitore të mbajtur të mërkurën në Hagë, trupi gjykues përmes një urdhri gojor ka bërë të ditur këtë datë për fillimin e gjyqit nëse nuk ka rrethana përjashtimore.

Trupi gjykues i ka kërkuar ZPS-së që të dorëzojë mocionet lidhur me grupin e dytë të 12 dëshmitarëve brenda 15 marsit 2023.

Ndërsa, pala mbrojtëse dhe mbrojtësja e viktimave janë urdhëruar që t’i dorëzojnë përgjigjet ndaj këtyre mocioneve nëse dëshirojnë jo më vonë se 27 marsi 2023.

“Urdhri që ka të bëj me afatin për kërkesat për viktimat pjesëmarrëse në proces, zyra administrative kërkohet të dorëzojë aplikimet për pjesëmarrjen e viktimave brenda datës 15 shkurt. Palët kërkohet të paraqesin mocionet lidhur me bazën ligjore për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e përbashkët nëse dëshirojnë të bëjnë një gjë të tillë deri jo më vonë 23 shkurti”, ka thënë ai.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 18 Janar, 2023 22:47

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare