Gjykimi për aksidentin në Llaskarcë, familjarët kërkojnë aktvendim sa më të shpejtë

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:25

Gjykimi për aksidentin në Llaskarcë, familjarët kërkojnë aktvendim sa më të shpejtë

T&S

Ka vazhduar gjykimi për rastin “Llaskarcë” ku me pëlqimin e të gjitha palëve gjykata themelore Shkupi 1 vendosi që më 26 janar të prezantohen dhe lexohen të gjitha dëshmitë e deritanishme dhe të bëhet inspektimi i super ekspertizave të përgatitura nga dy ekipe inxhinierësh mekanik dhe të trafikut. Familjarët e viktimave dyshojnë se ky rast po zvarritet shumë për të fshehur të vërtetën dhe për të shpëtuar të akuzuarit nga përgjegjësia penale, e cila sipas tyre nuk do të ndodh.

“Këto janë super ekspertiza të cilat po i presim më shumë se një vjet dhe kur sot ekspertët që kanë përgatitur këto ekspertiza duhej të paraqiteshin, ata nuk erdhën në gjykim dhe kjo gjë përsëri na ringjall dyshim se ky proces gjyqësor shkon në drejtim për t’i harruar kujtimet dhe dëmet që janë shkaktuar me këtë aksident, ku mes tjerësh nuk do të jepet mundësi që e vërteta dhe drejtësia të del në sipërfaqe.”, – theksoi një familjar, Sinisha Ristoski.

“Prej institucioneve tjera edhe më herët ishte bërë një ekspertizë profesionale prej më shumë se 2.000 faqesh. Kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Kjo që po ndodh tani me këtë rast është thjesht blerje kohe ku të akuzuarit do t’i shmangen drejtësisë, mirëpo drejtësia do t’i zë dhe ata do të shkojnë në burg. Ata vranë 16 persona të pafajshëm dhe lënduan rëndë 30 të tjerë ku një pjesë e tyre janë në karrocë invalidore. Turp është kjo që po ndodh, ne kemi nevojë për një vendim të shpejtë dhe të drejtë për këtë rast.”, – u shpreh familjai, Blagojçe Trpevski.

Në aksidentin në afërsi të Llaskarcës, e cila ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019 jetën e humbën 16 persona dhe 30 të tjerë u lënduan rëndë. Pronari i kompanisë “Durmo Turs”, personi përgjegjës për transport dhe shoferi i kësaj kompanie, Durmish Beluli, Ramiz Miftari dhe Manoil Trifunovski akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik Igor Gorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër penale.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Janar, 2023 19:25