Gjykimi për “Llaskarcën”, autobusit nuk i janë bërë kontrolle teknike

Desk
By Desk May 12, 2020 19:40

Gjykimi për “Llaskarcën”, autobusit nuk i janë bërë kontrolle teknike

Shkak i aksidentit të autobusit “Durmo Tours” në Llaskarcë, mund të ishte edhe neglizhenca e drejtuesve të kompanisë të cilët nuk i kanë kryer dy kontrollimet e fundit teknike të autobusit në përputhje me rregulloren.

Këtë e paraqiti në Gjykatën Penale prokurori Darko Jakimovski, përmes video materialit nga qendra teknike e Gostivarit në pronësi të të akuzuarit të parë, Durmish Beluli. Kontrollimi i fundit i autobusit është bërë dy muaj para aksidentit të tmerrshëm.

Sipas video vëzhgimit në stacionin e kontrollimit teknik, autobusi vetëm 10 sekonda është ndalur për kontroll, theksoi prokurori Jakimovski. Ndërsa autobusi para tij në vendin për kontroll qëndroi vetëm 30 sekonda. Të dy autobusët i ka kontrolluar i akuzuari, Goran Dukoski.

“Gjatë kontrollit teknik të këtij autobusi mund të shihet se nuk ka pasur asnjë kontroll në kanalin punues. Gjithashtu mund të shihet se autobusi nuk i është nënshtruar sistemit të dridhjes, e cila është metodologji që zbatohet tek makinat tjera. Sistemi i frenimit nuk është matur nga asnjë aspekt. Në vendin e punës nuk është askush nga punonjësit ose të akuzuarit. Ky kontrollim është përfunduar saktësisht për 2 minuta e 20 sekonda.”,- tha prokurori, Darko Jakimovski.

Mbrojtja reagoi ndaj këtyre dëshmive të prokurorive, duke i vlerësuar si irelevante. Gjithashtu reagoi edhe i akuzuari, Jane Bovarovski, duke pretenduar se ai e kishte kontrolluar autobusin në mënyrë profesionale.

“Unë hyra në kanal ku mund të shihet e gjithë pjesa e poshtme e autobusit. Pashë mos ka ndonjë kabllo të këputur dhe konstatova se nuk ka. Më në fund, autobusi kalon në pllakën për matjen e frenave. Fillimisht u mat freni i parë. Konfirmoj saktë se ka pasur matje të frenit të dorës dhe pastaj edhe frenat e këmbës.”,- theksoi i akuzuari, Jane Bovarovski.

Seanca e radhës për aksidentin në Llaskarcë është caktuar për më 14 maj. Në këtë rast të akuzuar janë gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe pronari i Kompanisë “Durmo Tours”.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen për kryerjen e veprës së rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronave në komunikacion. (Tvm2)

Desk
By Desk May 12, 2020 19:40