Grabitja e armatosur në Suharekë, Sveçla: Vendi i kriminelëve është në burg

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Dhjetor, 2023 00:02

Grabitja e armatosur në Suharekë, Sveçla: Vendi i kriminelëve është në burg

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë më 22 nëntor 2023, duke thënë se autoritetet e drejtësisë nuk do të lejojnë që krimet të mbesin pa u ndëshkuar dhe se vendi i kriminelëve është burgu.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Sveçla ka shkruar se akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë.

Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar. Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.

Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njëjti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona, ndërsa policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast.

Dy zyrtarëve policorë, të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti iu uroj shërim të shpejtë. Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj, ka shkruar Sveçla.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 1 Dhjetor, 2023 00:02

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare