Grajqevci: Ekzistojnë dëshmi për krimet serbe në Kosovë

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 18, 2019 20:59

Grajqevci: Ekzistojnë dëshmi për krimet serbe në Kosovë

Ka dhjetëra e mijëra fotografi, dokumentacion dhe mijëra orë incizime të krimeve të luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë.

Kështu thotë kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci, sipas së cilit, skandali me fotografinë që e paraqiti deputetja, Flora Brovina, nuk i zbeh faktet e gjenocidit serb në Kosovë, dhe nuk e dëmton procesin e nismës për ngritjen e një Tribunali.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina doli me një fotografi të cilën e paraqiti si dëshmi të krimeve serbe në Kosovë, ku shiheshin disa ushtarë derisa dhunonin seksualisht një grua, por që e njëjta pastaj doli të jetë marrë nga një faqe për të rritur, dhe ngjarja ishte zhvilluar në Irak, derisa po xhiroheshin skena filmi.

Krejt kjo ka tronditur opinionin në vend, ku edhe kanë reaguar organizata për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, shoqëria civile dhe qytetarët, duke thënë se janë traumatizuar viktimat nga kjo ngjarje.

Edhe vet Grajqevci, i cili që dy dekada merret me çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe krimeve të luftës, konsideron se Brovina është dashur paraprakisht të konsultohet me ndonjë ekspert të hulumtimeve të krimeve të luftës.

Por ai thotë se kjo nuk duhet të pengojë procesin e ngritjes së Tribunalit që dënon gjenocidin serb në Kosovë, i cili është iniciuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Sipas tij, qe 20 vjet kanë kërkuar themelimin e një gjykatë të tillë dhe që shteti serb të shpallet shtet gjenocidial.

Ani pse ka dy dekada që kanë kërkuar themelimin e një gjykatë, Grajqevci thotë se për zbardhjen e krimeve të luftës nuk është asnjëherë vonë, veçse e shqetëson fakti që mund të jetë vonë për kapjen e disa kriminelëve që siç thotë dita-ditës mund të vdesin apo të ikin.

Ahmet Grajqevci i cili drejton Këshillin Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, thotë se Serbia i ka vet të gjitha incizimet e krimeve që ka kryer, dhe sipas tij ato duhet të publikohen një ditë.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka May 18, 2019 20:59