Gratë festojnë 8 Marsin, barazia akoma është vetëm deklaruese

Linda Limani
By Linda Limani March 8, 2020 12:23

Gratë festojnë 8 Marsin, barazia akoma është vetëm deklaruese

Refuzimi i të drejtave të grave, diskriminimi dhe dhuna janë disa nga çështjet me të cilat gratë përballen ende edhe sot. Sot ato festojnë 8 Marsin si një ditë beteje për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat, por në praktikë numrat janë të tmerrshëm dhe tregojnë të kundërtën. Sot, numri i grave në pozicionet drejtuese është ende i ulët dhe ato nuk përfaqësohen siç duhet në strukturat vendimmarrëse. Për më tepër, ekziston ende një hendek pagash midis burrave dhe grave, gjegjësisht gratë paguhen më pak se burrat për të njëjtën punë.

Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave në botimin “Gratë dhe Burrat në Maqedoninë e Veriut” tregojnë se punësimi karakterizohet nga një strukturë gjinore shumë e pafavorshme, pra niveli i punësimit për gratë në vitin 2017 është 34,6 dhe është dukshëm më i ulët se ai i burrave i cili arrin 53,6.

“Kjo strukturë nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë, para së gjithash, për shkak të kushteve të paqëndrueshme ekonomike dhe sociale në vend dhe mospërputhjes së profileve të disponueshme dhe të nevojshme të tregut të punës”, thonë nga Enti i Statistikave.

Shkalla e aktivitetit të grave është gjithashtu më e ulët dhe arrin në 44.3, ndërsa është dukshëm më e lartë tek burrat – 69.3.

Gratë ende rrallë vendosin të fillojnë një biznes dhe shpesh e bëjnë këtë si domosdoshmëri. Kështu që, numri i grave sipërmarrëse është rreth 30 për qind dhe është kryesisht në sektorin e shërbimeve. Ato janë të pranishme në ndërmarrjet mikro dhe të vogla me qarkullim dhe fitim të ulët. Arsyeja për këtë është jomundësia për të arritur një ekuilibër midis jetës profesionale dhe private dhe strukturës shoqërore të shtetit, d.m.th. të mos kesh kushte të mjaftueshme për përkujdesje sociale për fëmijët dhe të moshuarit. Nga ana tjetër, mentaliteti në vendin tonë është akoma i tillë që burrat, për fat të keq, vetëm japin ndihmesë në punët shtëpiake por nuk kujdesen së bashku me gratë me familjet e tyre.

“Qëllimi i grave që fillojnë një biznes është shpesh të bëjnë ekuilibrin ekonomik në familje, por kurrë të mos fillojnë biznese të mëdha. Ato e kanë më të rëndësishme që të kenë një ekuilibër midis familjes dhe biznesit sesa të jenë 100 për qind të përfshira në biznes. Këtu ka ndikim struktura shoqërore e shtetit, gjegjësisht gruaja, edhe të dëshirojë të jetë 100 për qind e përkushtuar ndaj biznesit, nuk ka kushte, respektivisht nuk ka përkujdesje sociale për fëmijët ose të moshuarit. Këto janë probleme që nuk lejojnë që ajo të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj biznesit”, thotë Valentina Disoska, kryetare e Shoqatës së Grave të Biznesit. /AIM/

Linda Limani
By Linda Limani March 8, 2020 12:23