Gratë në biznes, më të përfaqësuara në bizneset e vogla dhe mikro

Desk
By Desk March 3, 2020 19:19

Gratë në biznes, më të përfaqësuara në bizneset e vogla dhe mikro

Numri i grave sipërmarrëse në vend është rreth 30 për qind dhe më shumë janë prezente në veprimtaritë shërbyese.

Gratë më shpesh hyjnë në biznes nga nevoja për një komoditet më të mirë financiar në familje pa pretenduar të hapin biznese të mëdha. Qarkullimi i këtyre bizneseve përbën 10 për qind në qarkullimin e përgjithshëm që e bëjnë kompanitë në vend, thonë nga Shoqata e Grave në Biznes.

“Qëllimi i grave të cilat fillojnë biznes më shpesh është që të mund të bëjnë baraspeshë ekonomike në familje, por asnjëherë nuk nisen të punojnë biznese të mëdha. Për ato më me rëndësi është të kenë baraspeshë mes familjes dhe biznesit, se sa të jenë 100 për qind të futura në biznes. Këtu ndikim ka edhe struktura sociale e shtetit, përkatësisht gruaja edhe po të dojë të jetë 100 për qind e përkushtuar ndaj biznesit, nuk ka kushte, përkatësisht nuk ka kujdes social për fëmijët apo për personat e moshuar.”,- tha kryetarja e Shoqatës së Grave të Biznesit, Valentina Disoska.

Situata e njëjtë paraqitet thuajse në të gjithë vendet e rajonit, potencon Ivana Matiq nga rrjeti i grave sipërmarrëse “Women in Adria” në Kroaci.

“Sfidat e grave janë thuajse të ngjashme në Ballkan, por ka një trend të rritjes së sipërmarrësisë së grave, flas në nivel të përgjithshëm global. Rruga e gruas në biznes është shumë më e rëndë, por shembujt e suksesshëm ndikojnë pozitivisht ndaj rritjes së numrit të grave sipërmarrëse.”,- theksoi sipërmarrësja, Ivana Matiq.

Këto komente u bënë gjatë konferencës “Women in Adria” dhe “CEED Hub” për mbështetje të sipërmarrësisë së grave në Maqedoni, që u mbështet nga Ministria e Ekonomisë.

Desk
By Desk March 3, 2020 19:19