Greqia do të hapë sezonin turistik më 15 qershor

Greqia do të hapë sezonin turistik më 15 qershor

Greqia do të hapë sezonin turistik më 15 qershor, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar se fluturimet ndërkombëtare do të rifillojnë më 1 korrik.

“Periudha e turizmit fillon më 15 qershor. Hotelet sezonale mund të rihapen, dhe fluturimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare në destinacionet tona turistike gradualisht do të fillojnë nga 1 korriku”, tha Mitsotakis në një fjalim televiziv.

Greqia ka pasur një numër relativisht të ulët të vdekjeve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Ky vend ka raportuar gjithsej 170 vdekje.

“Ne do të fitojmë luftën me krizën ekonomike, ashtu siç e kemi fituar betejën shëndetësore”, tha Mitsotakis.

Greqia ende është duke u rimëkëmbur nga një krize financiare në të cilën ishte zhytur rreth dhjetë vjet më parë.

Të hyrat nga turizmi llogaritet se mbushin një të pestën e ekonomisë së saj.

Për të tërhequr vizitorët, taksa e transportit për pesë muajt e ardhshëm do të ulet në 13 për qind nga 24 për qind sa është aktualisht, raporton AFP.

Për shkak të pandemisë, Greqia mund të përballet me një tkurrje ekonomike deri në 13 për qind.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 20 Maj, 2020 21:15

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.