Greqia lehtëson masat COVID 19/ Nga 4 Maji fund kufizimeve në qarkullim, lejohen aktivitetet sportive, hapen edhe parukieritë

Desk
By Desk April 28, 2020 20:37

Greqia lehtëson masat COVID 19/ Nga 4 Maji fund kufizimeve në qarkullim, lejohen aktivitetet sportive, hapen edhe parukieritë

Greqia do të lehtësojë masat kufizuese me ardhjen e majit. Mësohet se nga dita e hënë, 4 maj 2020, marrin fund kufizimet në qarkullimin e qytetarëve, automatikisht shfuqizohen mesazhet sms dhe leja e shkruar. Mbetet në fuqi për dy javë akoma kufizimi i qarkullimit jashtë prefekturës, qytetit apo fshatit.

Për punonjësit e bizneseve që nuk do të funksionojnë në maj, apo do funksionojnë pjesërisht, qeveria ka parashikuar t’i kompensojë me 800 euro.

Gjithashtu, janë akorduar me vendim ministror dhe 9 milionë euro (gjithsej 20 mln nga buxheti i shtetit) të fazës së dytë të fushatës informative për Covid-19 në median e vendit, vizive, të shkruar e të shtypur, tek të gjitha mediat, përshi ato lokale.

Do të lejohen aktivitetet sportive në ambjente të hapura, buzë detit.

Nga 4 maj do të funksionojnë libraritë, njësitë shitëse me pajisje elektronike, KTEO, produktet atletike, parukeritë (me randevu) qendrat estetike, produktet okulare.

Për njësitë e tjera shitëse (dyqane rrobash apo këpucësh etj.) dhe bizneset e vogla, vendoset hapja në 11 maj, ndërsa qendrat tregëtare nga 1 qershor.

Gjithashtu, në 4 maj hapen kishat dhe tempujt fetarë të adhurimit për lutje personale, lejohet përqëndrimi deri në 10 persona. Pas 18 maj do të vendoset për meshat fetare.

Në 11 maj fillojnë mësimet për maturantët. Një javë më pas, në 18 maj, rikthehen në banka nxënësit e gjimnazit dhe viteve të tjera të Liceut. Për shkollat fillore dhe kopshtet, vendimi është në diskutim të hapur me specialistët, mund të hapen në 1 qershor, ose në shtator.

Në 1 qershor hapen restorantet dhe kafenetë, me kushte të caktuara e përkufizime. Në të njëjtën ditë do të funksionojnë hotelet me aktivitet 12-mujor, jo sezonal. Po në 1 qershor do të funksionojnë dhe sektorët e tjerë të Drejtësisë, që janë të bllokuar. Nga 15 qershor pritet funksionim i plotë i bizneseve, nëse të dhënat e pandemisë në Greqi e lejojnë.

Për të gjithë të punësuarit si dhe për pasagjerët me mjetet e transportit publik vendoset përdorimi i detyruar i maskës, dorezave plastike të një përdorimi si dhe distanca 2 m nga njëri-tjetri.

(BalkanWeb)

Desk
By Desk April 28, 2020 20:37