Griezmann tregon se çfarë shkoi gabim në disfatën e Barcelonës

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 2, 2019 22:20

Griezmann tregon se çfarë shkoi gabim në disfatën e Barcelonës

Sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann beson se gabimet e katalonasve që quan te disfata tronditëse kundër Levantes të shtunën mund të gjenden te paraqitja dhe sjellja e lojtarëve.

Barcelona u mposht me rezultat 3:1 nga Levante, që radhitet në pozitën e tetë në tabelën e La Ligës, përkundër që pati më shumë raste të krijuara dhe e mbajti më shumë posedimit e topit gjatë 90 minutave të ndeshjes.

Skuadra e Ernesto Valverdes kaloi fillimisht në epërsi përmes golit të shënuar nga kapiteni Lionel Messi nga pika e penalltisë në minutën e 38-të të ndeshjes, duke e mbyllur kështu pjesën e parë me epërsi minimale.

Valverde u detyrua ta zëvendësojë Luis Suarezin e lënduar pak para fundit të pjesës së parë. Kjo ishte goditja e parë për Barcelonën në këtë ndeshje, që në minutat në vazhdim e përjetoi një rikthim sensacional të rezultatit nga Levante.

Pjesa e dytë e ndeshjes i takoi plotësisht Levantes, që i shënoi tri gola përmes Jose Campanas, Borja Mayoralit dhe Nemanja Radojas.

“Nuk ka asnjë sqarim logjik për ata shtatë minuta dhe kjo mund të jetë gjëja më shqetësuese. Ne duhet ta shikojmë se çfarë bëmë gabim dhe të përmirësohemi në ato gjëra”, u shpreh Griezmann, pas ndeshjes.

“A ishte në pyetje paraqitja apo sjellja jonë? Ndoshta pak nga gjithçka, nuk ishim në më të mirën tonë. Na i shënuan tri gola në më pak se dhjetë minuta. Mund të jetë problemi te futbolli, te sjellja, mund të ndodhin këto gjëra në një ndeshje. E vetmja gjë që duhet ta bëjmë është që të mos e lejojmë të ndodhin sërish”.

Barcelona e mban ende kreun e La Ligës me 22 pikë nga 11 ndeshjet e para, megjithatë ajo mund ta humbë këtë pozitë nëse Real Madridi e fiton ndeshjen e kësaj xhiroje.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka November 2, 2019 22:20