Gripi sezonal, ka mungesë të nxënësve, por shkollat vazhdojnë mësimin

Gripi sezonal, ka mungesë të nxënësve, por shkollat vazhdojnë mësimin

Gripi sezonal është në kulmin e tij. Fëmijët janë më të prekurit e spitalet janë plot. Por, shkollat vazhdojnë mësimin. TVM2 vizitoi Shkollën Fillore “Kongresi i Manastirit”. Edhe atje vërehet mungesa e nxënësve nëpër klasa, por jo aq e madhe sa për të ndërprerë procesin mësimor.

“Kemi mungesë, mirëpo nuk kemi aq tepër, nuk është aq alarmante, d.m.th. mungojnë nga 3 nxënës ose 4, eventualisht deri në 5-6 nxënës nëpër klasa. Shihet gripi, mirëpo nuk është në atë nivel të lartë. Tash si çdoherë ka pasur epidemi të gripit, mirëpo edhe ata nxënës që mungojnë , në të ardhmen mund t’i kompensojnë këto mësime.”,- tha drejtori i Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”, Faik Xhoni.

Mbrojtja kryesore nga gripi është higjiena. Mungesa e mjeteve higjienike në shkolla vërehet pothuajse gjithkund. Por, në këtë shkollë na thanë se sapun e mjete higjienike kanë dhe u apelojnë nxënësve të kenë kujdes e t’i përdorin.

“Nyjet sanitare janë të pajisura me të gjitha mjetet që duhen, sapun për të larë duart dhe gjithçka tjetër që duhet, d.m.th. të gjitha mjetet i posedon shkolla. Mund të vazhdojnë të vijojnë mësimin, nuk kanë pengesa, të mbajnë sa më tepër pastërti si në shtëpi dhe në shkollë, pa marrë parasysh se ku gjenden.”,- tha drejtori i Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”, Faik Xhoni.

Edhe mjekët apelojnë që sa më shpesh të lahen duart, të evitohen kontaktet me personat e prekur dhe të shmangen vendet ku ka shumë njerëz. (Tvm2)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 25 Shkurt, 2020 19:38

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.