Grubi: Forcat progresive ngadhnjyen sonte në Kuvend

Linda Limani
Publikuar nga Linda Limani 1 Korrik, 2022 00:06

Grubi: Forcat progresive ngadhnjyen sonte në Kuvend

“Forcat progresive ngadhnjyen sonte në Kuvend. Na pret shumë punë dhe kemi ditë të mira para nesh, për vendin dhe për të gjithë qytetarët”, kjo është porosia e zv.kryemistrit të parë Artan Grubi pasi dështoi iniciativa e VMRO-DPMNE për interpelancë të kryeparlamentarit Xhaferi, njofton Flaka

Në Kuvendin e Maqedonisë sot pasdite ka vazhduar debati për interpelancën e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi. Gjithsej 41 deputetë aplikuan për fjalë.

Deputeti Darko Kaevski nga LSDM tha se vetëm deputetët e VMRO-DPMNE-së e mbrojnë krimin sepse, siç tha ai, disa janë të përfshirë drejtpërdrejt në të, e disa kanë urdhër të drejtpërdrejtë nga “Pallati i Bardhë” dhe Hristijan Mickoski.

Sipas tij, partia opozitare po bën obstruksione, bllokada, frenime, provokime dhe gjithçka që e pengon legjislativin të funksionojë mirë dhe në vazhdimësi.

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, thekson se opozita po bën obstruksione dhe i kujton biografinë e Xhaferit, punën, përvojën, angazhimet politike.

Ai beson se Xhaferi ka arritur të qëndrojë fort në tokë dhe t’i zbatojë ligjet përkundër dredhive dhe propagandës partiake me të cilat është përballur.

Ademi theksoi se Talat Xhaferi është njohësi dhe respektuesi më i mirë i Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe ligjeve.

Ai u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me Xhaferin dhe mundësinë për të mësuar nga ai. Flaka

Linda Limani
Publikuar nga Linda Limani 1 Korrik, 2022 00:06